Lorik Cana ka komentuar eliminimin e Juventusit nga Ajaksi në televizionin “Vizion Plus”, ku punon prej disa muajsh në rolin e analistit.
Sipas ish-kapitenit të kombëtares shqiptare transferimi i Ronaldos te Juventusi nuk mund të quhet dështim, pasi portugezi ka shënuar shumë në Itali dhe ka treguar se di të bëjë diferencën në momente të rëndësishme siç ishte ndeshja ndaj Atletikos.
“Nuk mund ta quajmë dështim transferimin e Ronaldos te Juventusi. Ka shënuar shumë gola në Itali, ndërsa ka qenë vendimtar në ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Atletikos dhe ndeshja e parë me Ajaksin në Amsterdam. Ajo që duhet të merremi është gjendja e Juventusit në këto gjysmëfinale. Ana psikologjike e ekipit nuk ishte e duhura”.
“Mandzhukiç ishte një mungesë shumë e rëndësishme, Kielini gjithashtu. Nuk po them se Kielini do të ndryshonte lojën, por do t’i jepte një zë në mbrojtje që do të dinte si t’i mblidhte lojtarët. Gjithsesi, mendoj se Juventusi në një ditë të mirë do të luante shumë ndryshe nga sot”.
“Unë në Serie A kam mbërritur në vitin 2012. Pak vite më parë Juventusi ishte një klub që mezi kapte Champions-in. Në tetë vite janë kthyer në super klub kjo është merita e presidentit Anjelit dhe sot ai mban përgjegjësitë. Morën Ronaldon për të shkuar në katërshen e klubeve botërore. Në futboll ka dhe hapa fals, por jam i bindur se një ditë do t’ia dalin”.