Pas javës së 14-të ka ndryshuar dhe renditja në tabelën e klasifikimit, edhe pse konfirmohet edhe një herë tjetër se diferencat mes skuadrave janë të vogla. Partizani arrin të ruajë vendin e parë, edhe pse u mund nga Flamurtari. Kuqezinjtë u rikthyen te fitorja dhe tani ndodhen vetëm 3 pikë larg vendit të tretë.
Skënderbeu po ashtu nuk e shfrytëzoi hapin e gabuar të “demave”, pasi barazoi në kryeqytet me Tiranën. Bardheblutë vijojnë të mos fitojnë dhe me Skënderbeun sërish pësuan një gol mjaft naiv. E mira për ta është se nga 4 skuadrat e fundit, vetëm ata mundën që të mos dilnin pa pikë.
Gabimet e Partizanit dhe Skënderbeut u shfrytëzuan maksimalisht nga ana e Kukësi, Teutës dhe Laçit që ngushtuan diferencën me dy vendet e para. Si durrsakët, ashtu dhe kuksianët e kurbinasit morën pikë të plota në ndeshjet e tyre, duke treguar se do të pretendojnë deri në fund për një nga tre vendet e para.
Situatë jo e mirë për Kamzën, Luftëtarin dhe Kastriotin, që dolën duarbosh nga përballjet e kësaj jave.