VIDEO | Furi e kuqe, Partizani i falet Hebajt dhe mposht Flamurtarin

Partizani ka mposhtur Flamurtarin me rezultatin 3-1 në “Selman Stermasi”, duke u afruar edhe më shumë me titullin kampion. Të besuarit e Gegës e nisën takimin shumë mirë dhe kaluan fillimisht në avantazh dhe anë të sulmuesit Jurgen Bardhi, i cili në minutën e 11’ ndëshkoi Koliçin.

Pas avantazhit, pritej që Partizani të kontrollonte lojën, por Flamurtari u zgjua dhe mori frenat e lojës. Skuadra vlonjate arriti edhe të barazojë, me anë të sulmuesit Ribaj. 29-vjeçari ndëshkoi Hoxhën në minutën e 40’ të takimit dhe gjatë festës së kuqezinjve, pati dhe shumë tension në fushë.

Tifozët e “Demave të kuq” zbritën nga shkallët e stadiumit dhe u konfrontuan me fotografin e skuadrës së Flamurtarit. Në këto momente kaosi, u përfshi dhe sulmuesi Ribaj, i cili u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari kryesor në minutën e 41’.

Pjesa e dytë nisi me Partizanin shumë kërkues. Gega nuk u pajtua kurrsesi me rezultatin dhe hodhi dy sulmues në fushën e lojës, fillimisht Mensah dhe pastaj Hebajn. Ishte pikërish shkodrani ai që i dha fitoren kryesuesve. Brenda pesë minutash, numri 9 i të kuqve shënon dy herë, duke “likuiduar” Flamurtarin dhe duke i dhënë tri pikët skuadrës së tij, që vazhdon të kryesojë kampionatin me diferencë pikësh.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 23
E shtunë, më 23 shkurt, ora 17:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

PARTIZANI-FLAMURTARI  3-1
Shënues: Bardhi 11′, Hebaj 67′ 72′ / Ribaj 40′

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Rexhepi (Mensah 54′), Trashi, Atanda, Telushi, Asani, Duka (Hebaj 65′), Mala (Kote 77′), Bardhi. Trajner: Skënder Gega

Flamurtari: Koliçi, Liçaj (Ymeraj 76′), Pollozhani, Veliu, Kotobelli, Batha, Mustafa (Sukaj 85′), Rrapaj (Beqaj 62′), Musta, Kale, Ribaj. Trajner: Ilir Daja

Gjyqtarë: Indrit Myrtja, Melis Dervishi, Fisnik Thorja, Kridens Meta
Kartonë të verdhë: Trashi 14′, Rexhepi 61′ / Liçaj 33′
Karton i kuq: Ribaj 41′
Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Albano Janku

EPISODET

90’ Mbyllet sfida në “Selman Stermasi”, Partizani mposht Flamurtarin dhe merr tri pikët

72’ Gooool Partizani!! Hebaj shënon sërish. Sulmuesi mposht portierin Koliçi me një goditje me kokë, duke i dhënë avantazhin e dyfishtë Partizanit dhe duke afruar “Demat” me fitoren

67’ Goooool Partizani!! Hebaj ndëshkon Flamurtarin me topin e parë që prek. Sulmuesi i ardhur nga stoli mposht Koliçin nga një top i kthyer dhe me portën e boshatisur, rikthen Partizanin në avantazh

63’ Rast ideal për Partizanin, Asani shpërdoron shansin e artë për të kaluar në avantazh

46′ Nis pjesa e dytë, Partizani hidhet në sulm

45+5′ Mbyllet pjesa e parë mes kaosit dhe tensionit

42′ Ndërpritet ndeshja, kaos total në “Selman Stermasi”. Ribaj me të kuq!

40’ Gooooool Flamurtari!! Miqtë morën kontrollin e lojës pas disavantazhit dhe arritën të barazonin. Sulmuesi Ribaj, në një formë shumë të mirë, realizon golin e dytë radhazi në kampionat.

14′ Karton i verdhë për Trashin, titullari i Partizanit humbet derbin

11′ – Goooool Partizani !! Bardhi zhbllokon sfidën. Sulmuesi i Partizanit u shmanget mbrojtësve të Flamurtarit dhe shtyn drejt rrjetës një top të shkëlqyer të shërbyer nga Asani.

1′ Starton sfida

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *