Sfidoi Murinjon në finalen e Tiranës, trajneri shpall kandidaturën për Liverpulin: Kam besim, po negociojnë klubet

Jyrgen Klopi do të largohet nga drejtimi i Liverpulit në fund të këtij sezoni dhe në media po përpiqen të zgjidhin enigmën se cili do të jetë trajneri i ri. Së fundmi, është Arne Sloti ai që ka vetëshpallur kandidaturën për të marrë drejtimin e Liverpulit. Sloti është një emër i njohur për shqiptarët, teksa dy vite më parë ishte i pranishëm në “Air Albania” për të luajtur finalen e Ligës së Konferencës ndaj Romës së Murinjos.

Holandezi është trajner i Fejnordit dhe ka pranuar për “ESPN”-në se i ka kërkuar klubit të tij të negociojë me Liverpulin. Trajneri 45-vjeçar ka thënë se ka besim se mund të drejtojë një klub legjendar dhe po pret rezultatin e negociatave.

“Do të më pëlqente të bëhesha trajneri i ri i Liverpulit. Vendimi im është i qartë. Fejnordi dhe Liverpuli janë në bisedime për të negociuar. Po pres të shoh se çfarë do të ndodhë. Kam besim. Po pres që klubet të arrijnë një marrëveshje”, ka thënë Arne Sloti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/