JAVA E GJASHTË | Nga Kukësi e Partizani kryesues, tek Kastrioti “i dorëzuar”

Java e gjashtë e Kategorisë Superiore solli 5 skuadra fituese dhe nuk prodhoi asnjë barazim. Ndryshime në klasifikim, pasi Kukësi dhe Partizani morën kreun  dhe javë pas jave skuadrat në krye ngjeshen me njëra-tjetrën duke treguar se ky edicion do të ketë mjaft rivalitet. I veçantë dhe fakti se asnjëra nga skuadrat që u mund nuk arriti ta gjente rrugën e rrjetës.

Vëmendja maksimale ishte tek derbi i kryeqytetit, pasi për më shumë se një vit e gjysmë i kishte munduar Superiores. Në fund Partizani iu fal një goli të Esat Malës dhe vijoi serinë e sukseseve ndaj rivalit të përjetshëm. Bardheblutë të dëshpëruar regjistrojnë derbin e 14-të pa fitore dhe kjo gjë rëndon gjithnjë e më shumë. Demat arritën në krye të klasifikimit ku e shohin veten bashkë me Kukësin. Tirana mbetet sërish në kuotën e 5 pikëve dhe në gjashtë javët e para ka mundur që të marrë dhe një fitore. Situatë aspak e mirë për 24-herë kampionët e vendit.

Kukësi në krahun tjetër ju fal një 11-metërshi të fituar nga Cuculi dhe të kthyer në gol nga Rexhinaldo. Ndeshje e vakët dhe e dobët nga skuadra e Cungut, por që merr atë që i duhet në këtë moment, pikët. Luftëtari rikthet tek humbja, por ka kontestime për një 11-metërsh të padhënë në favorin e tyre.  Mezani ka ndryshuar diçka në lojën e gjirokastriteve, por pikët janë ato që  kanë vlerë dhe ende ndodhen në vendin e fundit të klasifikimit.

Skënderbeu bie në Durrës. Me Shkëmbin që mundi Shehin dhe ish-skuadrën e tij. Korçarët pësuan humbjen e parë këtë edicion, ndonëse sërish tregoi personalitet në fushë, edhe pse luajti me 10 lojtarë që nga pjesa e parë. “Djemtë e detit” rikthehen tek fitorja pas dy humbjesh ndaj një rivali të fortë. Duhet të veçohet se në shkallët e stadiumit kishte më shumë tifozë se herët e tjera dhe kjo është fitorja më e madhe e bregdetarëve. Ishin vendimtar golat e Latif me 11-metërsh dhe e Bicajt në fraksionin e dytë.

Në Kamzë, Laçi tregoi dhe një herë se është ajo skuadra me ego që të ndëshkon në momentin e parë që i jepet. Skuadra e Artan Mërgjyshit shënoi në limitet e ndeshjes me anë të Shtubinës, duke marrë 3 pikë që e çojnë aty në pranë skuadrave kryesuese, pasi tani kanë 10 pikë, aq sa dhe Flamurtari. Kamza pëson humbjen e dytë radhazi dhe e sheh veten në vendin e shtatë me vetëm 6 pikë. Në 5 takimet e fundit skuadra nga periferia e kryeqytetit ka marrë vetëm 1 fitore.

Në Vlorë nuk gaboi Flamurtari që shënoi plot 4 gola në portën e Kastriotit. Krutanët nuk mundën që të ruanin vazhdimësinë pas barazimit me Laçin një javë më parë dhe në takimin e mbrëmshëm u demoralizuan pasi pësuan golin e parë. Kuqezinjtë pas dy humbjesh e kishin për detyrë që të bënin autokritikë dhe me kapiteni Bushiç, 2 herë me Torasë dhe Bathën gëzuan tifozerinë, e cila beson se ai moment jo i mirë u la pas krahëve dhe se ekipi mund të synojë pjesën e sipërme të klasifikimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *