Mauricio Sarri ia doli të kualifikonte Çelsin në Champions për sezonin e ardhshëm dhe të dërgonte ekipin në finalen e Ligës së Europës. Pavarësisht kësaj, kritikat kundrejt trajnerit italian nuk kanë të ndalur.
Rud Gulit është një legjendë e Milanit të madh të viteve ’90, ndërsa ka luajtur për tre sezone me “Blutë e Londrës”. Holandezi i famshëm nuk e kupton lëvizjen Zhorzhinjo. Italo-braziliani është një mesfushor shumë i mirë, por blerja e tij ishte e panevojshme.
“Sarri erdhi në një moment kur skuadra duhej rindërtuar dhe nuk ka patur shumë kohë në dispozicion. Megjithatë, mendoj se ka bërë një gabim. Fakti që mori me vete Zhorzhinjon. Jam dakord që ai është një futbollist i mirë, por kishte një francez në atë rol, një kampion bote. Pse duhet të marrësh një lojtar tjetër kur ke Ngolon në atë rol, pse?”
Gulit nuk mund të mos komentojë edhe paraqiten e Ajaksit. “Harkëtarët” i dhuruan botës një futboll të mrekullueshëm, por fati i keq i la jashtë finales së madhe të Champions Ligës. Ish-mesfushori ndalet te një lojtar i ekipit surprizë të këtij sezoni.
“Kam punuar me Van de Bek para një viti në kombëtare. Më pëlqen shumë ajo çfarë ka në kokë, është shumë i pjekur për moshën që ka. Punon fort dhe e di mirë se çfarë kërkon. Doni shënon edhe shumë gola, njësoj si Lampard te Çelsi. Është teknik dhe i ftohtë para portës, prandaj e krahasoj me ish-mesfushorin e Çelsit”, përfundon Rud Gulit.