Bardhezinjtë në kor: Duhet të jemi të përqendruar!

Juventus u ndal pasditen e djeshme në barazim 1-1 ndaj Xhenoas në “Allianz Stadium”. Golit të Kristiano Ronaldos në pjesën e parë iu kundërpërgigj Daniele Besa në minutën e 67-të. Bardhezinjtë ndalën kështu një seri prej 10 fitoresh radhazi mes Serisë A dhe Champions. Goli i shënuar nga miqtë e Xhenoas, ishte dhe për faj të mbrojtjes juventine, ku Bonuçi mund të kishte bërë më mirë në atë rast.

Pikërisht Leonardo Bonuçi ka folur pas sfidës së djeshme, duke thënë se ndalesa e Juventusit konfirmon se nuk ka asgjë të lehtë dhe se duhet të qëndrojnë gjithë kohën të përqendruar.

“Nëse mendonim se rruga jonë do të ishte pa pengesa tashmë e morëm përgjigjen. Barazimi i sotshëm duhet të shërbejë si një nxitje për ne, për të kërkuar akoma më shumë. Gjithsesi nuk duhet të shikojmë mbrapa, është një ndeshja që ka përfunduar tashmë dhe duhet ta hedhim pas krahëve”, përfundoi mbrojtësi.

Gjithashtu dhe lojtarët e tjerë bardhezinj kanë reaguar nëpër rrjete sociale kryesisht. Bles Matuidi deklaroi se duhet të vazhdojnë të punojnë fort. Ndërkohë nga ana tjetër Federiko Bernardeski shkroi në llogarinë e tij në “twitter”: “Do të reagojmë me forcë”.

Masimiliano Alegri po ashtu postoi në “twitter” diçka domethënëse: “Shpërqendrimi, cektësia dhe nxitimi janë kundërshtarët tanë më të vështira për t’u mundur”. Ndërsa Ronaldo sheh nga ndeshja e ardhshme dhe kërkon ta hedhë pas këtë barazim, por gjithmonë duke marrë një mësim. “Çdo ndeshje të mëson diçka…tani të përqendrohemi te ndeshja tjetër”, shkroi portugezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *