Uejn Runi ka shumë arsye për të urryer Liverpulin. Futbollisti anglez ka qenë për më shumë se një dekadë pjesë e rivalëve të tyre të përjetshëm Mançester Junajtid dhe sikur të mos mjaftonte kjo, familja e Runit dhe vetë ai janë fansa të thekur të Evertonit.
Në një intervistë për “TALKSPORT”, ish-sulmuesi i “djajve të kuq” u shpreh se shpresonte që garën për titullin kampion ta fitonte Mançester Siti.
“Shpresoj që Mançester Siti ta ka kalojë vijën e finishit para Liverpulit. Nuk do të mund ta përballoja të shikoja ata teksa fitojnë titullin, do të ishte një makth për mua e çdo tifoz tjetër të Evertonit”.
“Mbaj mend që ata fituan Champions-in në vitin 2005 dhe sot e kësaj dite flitet akoma për atë arritje. Nuk mund të duroj të dëgjoj tifozët e Liverpulit të flasin për një trofe në 10 ose 15 vitet e ardhshme”, përfundoi Runi.