Java e 18-të mbylli dhe fazën e dytë të Superiores, ose e thënë ndryshe gjysmën e kampionatit. Skuadrat e gjysmës së sipërme të tabelës duket se janë shpërqendruar disi duke parë nga merkato, pasi vetëm një nga 6 skuadrat e para ka mundur të marrë pikë të plota.
Kukësi mundi 2-0 Kastriotin e vendit të fundit, duke “kërcënuar” Partizanin, duke u renditur në vendin e dytë tani me vetëm 3 pikë më pak se “demat”. Kryesuesit nuk morën më shumë se një pikë në Gjirokastër, me Luftëtarin që mund t’i kishte bërë më “keq” Partizanit.
Skënderbeu në anën tjetër ka koleksionuar humbjen e katërt radhazi, një ecuri negative e cila në 8 vitet e fundit nuk i kishte ndodhur asnjëherë. Kamza ishte skuadra e cila i mori maksimumin ndaj kampionëve, por sërish mbeten në vendin e parafundit. Kastrioti pëson humbjen e radhës, duke u shkëput disa nga skuadrat e tjera që luftojnë për mbijetesë.
Flamurtari po ashtu tregon edhe një e herë se e ka të vështirë që të gjejë stabilitet, duke u mundur nga Tirana në kryeqytet nga një gol në minuta e fundit. Bardheblutë e shohin veten në vendin e 7-të, por kurrsesi nuk mund të jenë të qetë, pasi lufta për mbijetesë është shumë e ashpër.
Teuta vijon të mahnitë, pasi barazimi me Laçin regjistroi ndeshjen e 11-të radhazi pa humbje. Kurbinasit ishin shumë pranë fitores në Durrës, por një gol i Kallakut pak minuta para fundit u prishi festën badhezinjve, që po ashtu me Prengën në krye duket se janë një skuadër me më shumë karakter.