Tre klube gjigantë janë në garë për Filipe Kutinjon. Braziliani deri tani ka treguar se Barcelona nuk është habitati i duhur për të shpalosur talentin e tij. Ai nuk është i lumtur dhe një lëvizje këtë verë shihet si opsioni ideal. Barcelona nga ana e saj ka kuptuar se duhet ta shesë brazilianin për të mos humbur shumë nga blerja e tij.
26-vjeçari ka ardhur për një shifër prej 120 milionë eurosh. Megjithatë blerja e tij do i kushtonte edhe më shumë katalanasve. Nëse Kutinjo qëndron dhe shton paraqitjet e tij, Bartomeut do i duhet të paguajë edhe 25 milionë të tjera bonuse. Vlera e gjithë transferimit do të shkonte në 145 milionë euro.
Sipas “Mundo Deportivo”, Çelsi, Mançester Junajtid dhe PSG janë vënë në vijën e startit për të sfiduar njëri-tjetrin në garën për të rrëmbyer xhevahirin brazilian. Londinezët e duan për të zëvendësuar Hazard. Megjithatë, blutë së pari duhet të shpresojnë që UEFA t’i lejojë të bëjnë merkato këtë verë.
BOOM! Manchester United, Chelsea and PSG have all contacted Barcelona for Coutinho, according to tomorrow Mundo Deportivo
— Tancredi Palmeri (@tancredipalmeri) May 29, 2019
Junajtid i ka financat për ta sjellë në “Old Trafford”. Kutinjo do të merrtë menjëherë figurën e liderit te “Djajtë e Kuq”. Megjithatë duhet të llogarisë faktin se vitin e ardhshëm duhet të luajë në Europa League.
PSG është një destinacion ideal për Kutinjon. Një bashkim me Nejmar do të formonte nje dyshe fantastike. Kujtojmë lajmet që pretendonin se Nejmar është munduar ta bindë brazilianin të vijë në “Parc De Princes”. Marrëdhëniet jo të mira të dy klubeve pritet ta ngadalësojnë këtë transferim.