Mançester Siti ka arritur t’i shkaktojë humbjen e parë Liverpulit të Jyrgen Klop për këtë sezon. Djemtë e Pep Guardiolës mundën të kuqtë me rezultatin 2 – 1, falë golave të Agueros dhe Sanes. Pas këtij rezultati, diferenca midis dy skuadrave shkon në katër pikë.
Liverpuli mund të zhbllokonte i pari sfidën, por pak ndihmesë nga fati dhe një spastrim në vijë fatale nga Xhon Stons bën që Sita ta mbante rrjetën e paprekur. Përsëritja e “VAR” tregoi se topi ishte vetëm një milimetër pa kaluar vijë fatale.
Në minutën e 40-të, Aguero i dha avantazhin Sitit dhe vazhdon ecurinë fenomanale ndaj Liverpulit, të cilëve i ka shënuar në çdo ndeshje të Premier League, që është zhvilluar në fortesën e Sitit, “Etihad Stadium”.
Liverpuli barazoi në minutën 64-të. Një krosim perfekt i Arnold gjeti mëngjarashin Robertson, i cili shërbeu për Firminon, që iu desh vetëm të shtynte topin, pak metra larg portës së Sitit. Pas gjashtë minutash, Siti rigjeti përsëri avantazhin me anë të Sanes, i cili mposhti Alison me një të majtë perfekte.