Xhaka një histori suksesi tek Arsenali, tani ka fituar zemrat e tifozëve

Granit Xhaka nuk pati një fillim të lehtë tek Arsenali. Futbollisti shqiptar u ble për 30 milionë euro nga Borusia Mënshengladbah dhe tifozët e skuadrës londineze kishin pritshmëri të mëdha për të.

Për fatin e keq të Xhakës fill pas ardhjes së tij në Londër, Arsenali nuk ia doli të renditej në katër vendet e para pas më shumë se dy dekadash. Gjithsesi kjo gjë mbetet pjesë e së shkuarës dhe ky sezon po rezulton më i miri për mesfushorin e përfaqësueses zvicerane.

Sipas “The Sun”, Xhaka është favoriti kryesor për të fituar çmimin lojtari i sezonit, që përzgjidhet çdo vit nga tifozët e Arsenalit. Vitin e kaluar ky çmim u fitua nga Aron Ramsi, ndërsa para tij fitues u shpallën Aleksis Sançez dhe Mesut Ozill.

Në disa intervista për “The Sun” dallohet qartë se Xhaka ka arritur të fitojë zemrat e tifozëve. Dikush thotë për të: “Urrejeni ose pëlqejeni, është shumë e vështirë për të mohuar se ai tani është pjesë thelbësore e skuadrës sonë. Ka bërë shumë mirë gjatë ndeshjeve kundër ekipeve të mëdha”.

Një tjetër tifoz thotë: “Nuk më besohet që po e them këtë tani, por për mendimin tim Xhaka këtë sezon është i paparë. Ka pasur një përmirësim masiv krahasuar me sezonet e shkuara dhe po luan si një lider. Është një lojtar që lidh mirë mbrojtjen me sulmin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *