Sejdini nuk kursehet: Zgjedhjet ç’orientojnë kampionatin, Tiranë kujdes!

Farruk Sejdini është nga ata që nuk kursehet në deklarata dhe së fundmi e ka shprehur lirshëm frikën më të madhe që ka për ecurinë e kampionatit. Zgjedhjet lokale janë ato që sjellin më së shumti “trazira” dhe këtë ai e thotë nga eksperienca.

Në një intervistë që Sejdini ka dhënë për “ABC News”, ai analizon garën për titull, merkato te Partizani dhe flet gjithashtu edhe për situatën te Flamurtari e Tirana. Për këta të fundit ka kritika në lidhje me merkato dhe përcjell edhe një mesazh.

GARA – “Skuadrat do të tregojnë atë që treguan në fazën e parë . Një çikë e vështirë që të riorganizohet apo rregullohet krejt ekipi. Lojtarët janë me pikatore. Partizani pavarësisht se nuk bëri ndonjë merkato të spikatur, mendoj se është më probabël për të marrë kampionatin. Kukësi pavarësisht se ka bërë merkato më të mirë, ka dhe eksperiencë, ka një problem shumë të madh se ndeshjet i bën në transfertë”.

MERKATO E PARTIZANIT – “Një sëmundje kronike e kampionatit shqiptar. Dikush tjetër zgjedh lojtarin dhe dikush tjetër përfundon kampionatin. Nuk e di arsyen se pse. Ndoshta nuk duan të prishin grupin, por mendoj që ai që duhet të vendosë është trajneri”.

PROBLEMI – “Sa herë ka zgjedhje, gjithmonë kampionati ç’orientohet. Kjo është edhe arsye pse kampionati është bosh. Të gjithë kandidatët për kryetarë bashkie futen në çdo lloj forme se duan të përfitojnë nga votat. Tashmë kjo dihet. Kam më shumë se 30 vjet që e heq në kurriz këtë”.

SITUATA NË VLORË DHE KRYEQYTET – “Flamurtari ka një situatë shumë të keqe. Ti mund t’ia japësh rrogën pas 2 muajsh, por mund të humbasësh pikët. Duhet me urgjencë të gjendet një zgjidhje. Tirana ka bërë një merkato shumë kaotike, aq sa më krijohet përshtypja që e ka bërë merkaton në bazë njohje. Në rast se dikush të pëlqen si njeri thirre në dasmë, për ditëlindje, bëje mik, por futbolli nuk ka miqësi të tilla. Duhet të shtrëngohet fort se do të jetë për mbijetesë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *