Prenga: Laçi vuan në sulm, kemi kontingjent të pakët

Trajneri i Laçit, Besnik Prenga, u shpreh mjaft i mërzitur pas ndeshjes së humbur nga skuadra e tij ndaj Skënderbeut. Tekniku i kurbinasve pranoi se skuadra e tij vuan në aspektin e sulmit, ndërsa përforcimet e janarit nuk kanë ardhur në formën e duhur. Reparti i mesfushës nuk i shpëtoi kritikave të Prengës.

SULMI – “Që në fillim e dinim që kemi probleme me sulmin, nuk them që kemi gabuar në merkato, por pritëm shumë. Bëmë blerje sa për të bërë blerje. Kemi probleme në sulm, por dua të uroj Skënderbeun për fitoren. Nuk ishte një ndeshje me shumë cilësi, por me dëshirë për të luajtur.

“Ne gabuam në mesfushë, aty ku është reparti ynë më i fortë. Por nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të stërvitemi dhe të bëjmë më mirë. Mua më shqetëson ecuria e ekipit. Në 4-5 ndeshje, ndërrohen trajnerë dhe loja nuk është aty ku duhet. Mendojmë se kemi bërë diçka, por nuk kemi bërë asgjë. Ne ishim pa gjak, nuk fituam duele, Skënderbeu i fitoi të gjitha dhe na tregoi si luhet futboll dhe kush kishte dëshirë për të fituar. Ne ishim të përgjumur dhe nuk treguam asgjë. Prandaj, që nesër t’i futemi stërvitjes dhe të kthehemi te rezultatet pozitive që tifozët tanë i presin. Ne jemi të shqetësuar me këto dy ndeshje shumë negative dhe ne si Laç, nuk na pranohen”.

EUROPA – “Skuadrat janë aty-aty dhe këtë gjë e tregoi dhe Skënderbeu. Ne e filluam ndeshjen mirë, por me kalimin e minutave e humbëm ritmin dhe pësuam rënie. Ky është futbolli dhe po nuk dhe maksimumin, nuk merr asnjë gjë.

ECURIA – Ecuria e ekipit është e tillë: Erdhi një trajner, fitoi ndeshjet e para, më pas u shkarkua. Më pas erdhi dikush tjetër, e njëjta situatë. Por unë nuk thashë një gjë të tillë, por thjesht doja të thosha që ndërrimi i trajnerëve tregon se nuk ka ecuri dhe qëndrueshmëri në klub.”

LOJTARËT – “Nuk u morën sa për të thënë, por dolën sa për të thënë. Secili ka CV-në e vet dhe i kemi ndjekur. Ndoshta kemi bërë gabime, pasi me lojtarët me ngjyrë është gjithmonë problem. Kanë probleme me vizat, kanë dy muaj pa stërvitje. Ne nuk jemi ekip që të fusim në lojë dy lojtarë të papërgatitur. Ne jemi ekip që nuk kemi 20 lojtarë në dispozicion, por vetëm 12-13. Ky është problemi”.

IDENTITETI – “Po ta shikosh, që në ndeshjen e parë në Europë që kam ardhur, nuk jam trajner që bëj shumë zëvendësime. Unë e kam mbyllur ndeshjen me 11 lojtarë, me 12. Minutat i jap me vështirësi dhe kam pasur probleme me sulmin., 4-4-2 mendoj se jemi të vetmit që përpiqemi ta luajmë, ndërsa që në momentin kur kam ardhur, kam pasur shumë probleme me mungesat e lojtarëve. Berisha ka qenë mungesë e madhe, edhe lojtarët me ngjyrë që erdhën në janar janë një problem i madh. Jam “kurnac” me ndërrimet, jo se kam dashur t’i bëj, por kam qenë i detyruar. Edhe sot, kam qenë i detyruar të bëj zëvendësime, jo se kam dashur”,- u shpreh Prenga.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *