Muçi flet me gola, Tirana e ka “bomberin” në shtëpi

0

“Një gabim që mund të kem bërë unë, që e pranoj, është që nuk kam futur në lojë lojtarët e rinj. Kjo pasi kemi qenë në një pozicion të vështirë në renditje. Ishim në fund të tabelës dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk i kam aktivizuar. Mendoj që kam bërë gabim, duhet të kisha provuar t’i aktivizoja më shpejt”, deklaronte Ardian Mema pas ndeshjes së fundit të kampionatit.

Kuptohet, në kampion bardheblu janë disa lojtarët e rinj që mund të lënë gjurmë në vazhdim. Jurgen Çelhaka bëri mirë në finalen e Kupës, ndërkohë që të dhëna të mira ka edhe Marsel Ismailgeci. Emri që pritej të shpërthente këtë sezon ishte Ernest Muçi.

I riu, një sezon më parë u mor nga paratërinjtë dhe Ze Maria e përfshiu në ekipin e parë. Sulmuesi, i cili ka mbushur vetëm para pak kohësh 18 vjeç, zhvilloi fazën përgatitore me Tiranën në Turqi dhe në kampionat arriti të shënonte 3 gola. Në total u aktivizua në 11 ndeshje, 6 prej të cilave nga minuta e parë.

Ky sezon nuk solli minutat që Muçi deshi. Vetëm një herë luajti si titullar, ndaj Teutës, dhe trajneri Mema tha fjalë të mira për të. Më pas sërish në stol. 211 minuta këtë sezon janë pak për të riun, i cili ka shënuar një gol në humbjen 3-1 me Kukësin fazën e parë. Me kaq pak hapësira, nuk mund t’i vësh një notë negative.

Pavarësisht se nuk ka luajtur, Muçi ka qenë gjithë kohën një opsion për Shqipërinë U19 dhe ditët e fundit ai ka shpërthyer, duke shënuar 4 gola në dy ndeshje me Kosovën U19. Një sinjal për Tiranën, që sulmuesin e ka dhe duhet ta rritë. Muçi është gati, sot kalon paraprovimin në shkollë dhe sezoni i ardhshëm dëshiron të jetë i tiji.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.