Mesi: Djali im feston golat e Realit, më ka mbetur vetëm një ëndërr për të realizuar

Kupa e Amerikës nis me datë 14 qershor dhe Leo Mesi është i karikuar në maksimum. Ylli i Barcelonës nuk e sheh kombëtaren e tij mes favoritëve, por me një si ai në ekip triumfi mund të arrihet.

Mesi ka dhënë një prononcim interesant për “Tyc Sports”, aty ku tregon disa detaje nga fëmijët e tij dhe e kaluara. Si nisi të bëhej mjeshtër i goditjeve të dënimit, nga kush u frymëzua dhe numri 10 në kombëtare.

Për të luajtur me Argjentinën nuk e pati të thjeshtë. Herën e parë si kapiten nuk e harron, edhe pse nuk foli shumë. Por ky është stili i tij dhe mënyra se si e përdor lidershipin.

Në vitin 2008 fitoi lojërat olimpike me Argjentinën, duke provuar emocione të paharrueshme. Dërgimi i kupës së botës për herë të tretë në Buenos Aires është ëndrra e madhe, ndërsa për momentin ai dhe shokët e tij janë të fokusuar te Kupa e Amerikës.

DJEMTË – “Tiago nuk humbet as një ndeshje, por edhe Mateo e dashuron futbollin. Vesh bluza të skuadrave të ndryshme. Qëllon që të festojë edhe për golat e Realit. Tiago zemërohet, ndërsa Mateo vazhdon të festojë vetëm për ta acaruar të vëllain. Një ditë po luanim në shtëpi dhe Mateo më tha: Ti je Barcelona, ndërsa unë jam Liverpuli, sepse do të mposht.”

SEZONI I FUNDIT – “Kam përfunduar sezonin më të lodhshëm dhe acarues, më shumë në aspektin psikologjik sesa fizik. Dy javët e fundit ishin shumë të rënda, sidomos eliminimi nga Champions Liga.”

GODITJET E DËNIMIT – “El Koko Bazile ishte ndër të parët që më dha këshillat e duhura. Më thoshte që duhet ta lija këmbën e lirë dhe të shihja e mësoja nga Rikelme.”

NUMRI 10 – “Ai është një numër special. Ky numër u bë i rëndësishëm në kombëtare nga Maradona, por unë mund të mbaj edhe një numër tjetër. Kur e vesha për herë të parë, Diego më tha që dëshironte të më jepte të njëjtën bluzë që kishte veshur edhe ai. Më thoshte që isha gati dhe kishte ardhur momenti.”

OLIMPIADA 2008 – “Askush nuk donte që të shkoja në Olimpiadë, ndërsa lejen ma dha Guardiola. Në fshatin olimpik pamë nga afër të gjithë atletët më të mirë të botës. Ishte impresionuese të takoje Kobi Brajant dhe Rafael Nadal, me të cilët bëmë edhe foto. Ditën e parë ikëm dhe u ushqyem të gjithë me McDonalds.”

ËNDRRA – “Gjithmonë kanë ëndërruar të luaj me kombëtaren dhe debutimin e kisha ëndërruar prej kohësh. Në atë kohë luaja me Barcelonën. Nuk ishte e lehtë të bije në sy si sot, ishte një kohë tjetër. Bëra gjithçka për t’ia dalë mbanë. Ju dërgoja videot e mia që të më njihnin dhe të më jepnin një shans. Të fitoj një kupë bote me Argjentinën do të ishte maksimumi. Është ëndrra më e madhe që më ka mbetur për të realizuar.”

KUPA E AMERIKËS – ”Herën e parë që u bëra kapiten më kërkuan të flisja në dhomat e zhveshjes. Nuk e kisha të thjeshtë, pasi jam një person që nuk flet shumë. Unë jam kapiten në mënyrën time. Në këtë Kupë Amerike do të luajmë me të njëjtin entuziazëm dhe dëshirë për të fituar, edhe pse Argjentina po kalon një periudhë ndryshimi. Për shumë lojtarë do të jetë kompeticioni i parë i rëndësishëm. Mendoj se nuk jemi favorit për të triumfuar, por është e sigurt që do ta tentojmë.“

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online