Leonardo: Stop gjyqeve publike, Bakajoko gaboi dhe do paguajë

0

Milani u rikthye te fitorja duke mposhtur Bolonjën 2-1. Tre pikë jetike për kuqezinjtë e Gatuzos, të cilët triumfuan falë golave të Susos dhe Borinit. Një episod ka ndodhur në pankinë midis trajnerit dhe Bakajokos. Gatuzo i ka kërkuar francezit që të zbresë në fushë, por ky i fundit nuk ka pranuar dhe mes palëve ka nisur një ofendim i dyanshëm.

Leonardo ka folur për rastin në fjalë. Gjithçka do të zgjidhet brenda familjes dhe nuk ka nevojë të bëhet publike. Mesfushori ka gabuar dhe do të paguajë. Më pas një koment për fitoren kundër Bolonjës, trajnerin Gatuzo dhe merkaton e Milanit.

EPISODI – “Rasti i Bakajokos do të diskutohet brenda nesh pa bërë publikimin e masave që do të marrim. Lojtari ka vuajtur shumë gjëra javët e fundit, por gabimet mbeten gabim dhe do të ndërhyjmë. Ka shumë gjëra pozitive, por kush gabon, paguan. Njësoj si gjithë të tjerët. Kanë ndodhur shumë gjëra njëkohësisht, por i kemi zgjidhur brenda nesh me Gazidis, Maldinin dhe Gatuzon. Nuk mund të bëhet çdo rast gjyq publik.”

SITUATA – “Pas derbit ishte një moment shumë i vështirë, por kundër Bolonjës treguam një forcë, që sinqerisht nuk e mendoja se e kishim. Ky Milan ka shpirt dhe shumë gjëra pozitive. Nevojitet qetësi dhe durim, sepse ekipi është në ndërtim e sipër.”

GATUZO DHE MERKATO– “Jemi treguar gjithmonë të qartë me Rinon. Gjithçka po shkon sipas planit, nuk mund të ishte gjithçka fushë me lule. Kemi pësuar ndryshime dhe normal që do të hasnim vështirësi. Nuk jemi në një situatë ekonomike të mirë, por nuk bëhet fjalë për demoralizim. Jemi të bllokuar dhe nuk do të bëjmë goditje të mëdha në verë. Megjithatë, gjithçka varet nga kualifikimi në Champions.”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.