Gjysmëfinalistet e Kupës, sa shumë “mëkatarë” të kualifikuar!

Janë përcaktuar katër ekipet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, në fakt në fushë vetëm tre ekipe djersitën. Skënderbeu pati fatin të kalonte mes katër më të mirave pa luajtur, pasi Kamza rivale është përjashtuar nga çdo garë me vendim të Komisionit të Disiplinës. Kukësi, Luftëtari, Tirana dhe Skënderbeu presin shortin, ndërkohë që sfidat gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë zhvillohen me 24 prill dhe 8 maj.

MËKATARËT – Kukësi në Europë njeh ecuri të mirë, që i ka sjellë klubit verilindor edhe të ardhura të rëndësishme. Ndryshe qëndron situata për tre klubet e tjera gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Skënderbeu është klubi që është bërë shembull nga UEFA.

Akuza të shumta dhe në fund 10 vite përjashtim nga kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë. Shumë pikëpyetje nëse korçarët do të mund të garojnë këtë sezon në arenën ndërkombëtare. Te Skënderbeu janë të bindur se në CAS do triumfojnë ndaj UEFA dhe dënimi do të bjerë poshtë. Mesi i prillit është periudha kur pritet të merret edhe vendimi.

Ekipi tjetër në shënjestrën e UEFA-s është Luftëtari. Gjirokastritët mund ta pësojnë si korçarët, të konsiderohen fillimisht klub i padëshirueshëm për të marrë pjesë në kompeticionet që ajo garon. Njëjtë siç ndodhi me Skënderbeun herën e parë. Është fakt që ka një hetim për bluzinjtë në lidhje me ndeshjen e luajtur kundër Ventspils në “Elbasan Arena”, sikurse është fakt bllokimi i parave që UEFA kishte akorduar për ta për pjesëmarrjen në kualifikueset e Europa League.

“Mëkatari” tjetër është Tirana. Bardheblutë, dy vite më parë morën pjesë në kupat e Europës dhe u dënuan më pas nga UEFA, për shkak të parregullsive me dokumentacionin që kishin dorëzuar për licencimin. Klubi kryeqytetas ka pasur probleme të shumta borxhesh dhe pretendohet se i është dhënë një zgjidhje dhe këtë herë licencimi do të merret. Gjithçka mbahet sekret për të mos prishur garën, ndaj do të jetë e vështirë të zbulohet para kohe nëse janë licencuar apo jo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *