Tërbimi i Agim Canës dhe deklarata e Redi Jupit, flet kreu i FFK-së
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka qenë i ftuar në emisionin “Debat Plus” në “RTV Dukagjini”, ku ka diskutoi mbi tema të ndryshme rreth futbollit në Kosovë. Ndër temat e diskutuara ishte dhe reagimi i presidentit të Vëllaznimit Agim Cana pas eliminimit të skuadrës së tij në “play-off” ndaj Trepça 89’.
REAGIMI AGIM CANËS – “Më ka habitur. Më pas akuzoi arbitrin e pastaj portierin. Çdokush ka të drejtë të zemërohet pas një mosarritje të diçkaje, por jo të sillet kështu. Agim Cana e ka një emër në futboll, ka qenë pjesë e gjeneratës së artë. Është një njeri që e din futbollin, s’duhet të fliste kështu. Në vendet të tjera ku janë bërë gjëra të ngjashme ka pasur raste ku njerëzit janë dënuar të mos merren përgjithmonë me futboll”.
Njeri nga të ftuarit në panelin e emisionit i kujtoi Ademit një deklaratë të disa muajve më parë nga Redi Jupi, ku ish-trajneri i kombëtares U21 të Shqipërisë tha se vetëm Milot Rashica mund të jetë pjesë e formacionit titullar të Shqipërisë. Numri një i FFK-së u mundua të shmangë polemikat duke e konsideruar këtë si thjesht një deklaratë subjektive: “Redi ka qenë futbollist shumë i mirë dhe një trajneri i mirë gjithashtu. Secili e shikon nga këndvështrimi i tij. T’iu tregoj një histori. Shumë trajnerë kanë thënë për Vedat Muriqin se ai s’mund të bëhej kurrë futbollist. Sot Vedati është në majat më të larta. Pra është çështje subjektive”.