Finalja e Kupës së Shqipërisë është vetëm pak ditë larg dhe te Kukësi e kanë mendjen vetëm aty, sepse ndeshja kundër Kastriotit është thjesht një barrë që duhet hequr shpejt, pa dëme.
Megjithatë, paralelisht me punën në fushë, trajneri Ernest Gjoka dhe drejtori sportiv Nderim Nexhipi po punojnë edhe për merkaton, sepse emrat në tryezë janë të shumtë, si zakonisht te Kukësi.
Presidenti Safet Gjici po ashtu është shumë aktiv, duke u marrë personalisht me shumë çështje, ndër të cilat edhe e ardhmja e sulmuesit Rexhinaldo. Afrikani, autor i 11 golave në Superiore dhe 4 golave në kupë, ka qenë lojtari më pozitiv në repartin e avancuar të Kukësit dhe Gjoka e dëshiron me çdo kusht në ekip për të ardhmen.
Për këtë arsye, Gjici ka gjetur marrëveshjen për ta mbajtur shënuesin më të mirë të ekipit edhe për një vit, ndërkohë që së shpejti pritet edhe zyrtarizimi i marrëveshjes me njoftim nga klubi.
Gjoka ka kërkuar që sulmi të mos preket, të paktën për kupat e Europës, pasi nuk mund të bëhen ndryshime të shumta. Në mbrojtje do të ketë lëvizje sidomos në krahë, por në qendër pritet të konfirmohen Cuculi, Teqja e Shameti, me këtë të fundit që ishte shumë pranë largimit, por një bisedë me presidentin Gjici mund ta konfirmojë, duke ndryshuar kushtet financiare të kontratës.
Edhe në mesfushën e Kukësit priten ndryshime, sepse do të ketë largime, por për momentin nuk është kontaktuar asnjë futbollist në Superiore, me drejtuesit e Kukësit që mohojnë prerë edhe thashethemet për marrëveshje me Idriz Bathën, i cili në verë do të jetë futbollist i lirë.