Trajneri spanjoll i Njukasëll, Rafael Benitez ka qenë një nga më të kërkuarit dhe më të admiruarit në fillim të viteve 2000 dhe arritjet e tij me Liverpulin kanë qenë të pabesueshme. Të gjithë e mbajmë mend atë finale të “Champions League” në vitin 2005, ku të kuqtë përmbysën “mbretërit e Evropës”, Milanin, ndeshje që edhe sot konsiderohet si më e bukura në historinë e Ligës së Kampionëve.
Drejtimin e Liverpulit e kishte Benitez dhe pas asaj nate në Stamboll, të gjithë presidentët e klubeve elitare evropiane e donin në skuadër. E kështu ndodhi, Benitez mori drejtimin e Interit në vitin 2010, por këtu filloi rënia e tij. Pas dështimit te zikaltërit, u bë trajner i përkohshëm te Çelsi (2012-13) dhe trajner i Napolit (2013-15), por nuk arriti të përsërisë sukseset e Liverpulit.
Të gjithë u befasuan kur Benitez mori drejtimin e Realit të Madridit në fillim të sezonit 2015-16, por kishte dhe nga ata që besonin se 58-vjeçari do të rikthehej më në fund në elitën e trajnerëve. Nuk ndodhi kështu…
Pas një viti të mbushur plot polemika, Benitez u largua nga Reali dhe karriera e tij preku fundin. Ekipi i vetëm që i besoi ishte Njukasëll Junajtid, në verën e vitit 2016, asaj kohë militonte në Championship.
Edhe pse e riktheu skuadrën bardhezi në Premier Ligë, Benitez nuk ka bërë ndonjë punë të jashtëzakonshme me skuadrën nga “Tuneside”. Është për të ardhur keq që një trajner që fliste për finale të “Champions League”, tani flet për një duel mbijetesë në Premier Ligë me Kardif Sitin. Ndoshta, bëri një gabim të madh kur u largua nga skuadre e kuqe e Liverpulit…
VERONIK ISTREFAJ