“Kandari” i prishur i Disiplinës, futbollistët marrin qindarka dhe arkivohen gjyqet milionere

0

Më së shumti gjyqtarët janë ata që “sulmohen”. Gabojnë, me apo pa qëllim, dhe vendimet e tyre merren në fraksion sekonde. Gjithsesi edhe u falet ndonjëherë, pasi nuk është një punë e lehtë. Ndryshe nga ata, janë të tjerë gjyqtarë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit që nga kolltuku ku ulen njëherë në javë bëjnë gabime trashanike.

Flasim për anëtarët e Komisionit të Disiplinës, që shpesh kanë pasur guximin të hedhin poshtë edhe vendime të marra vetë prej tyre. Komisioni i Apelit është anashkaluar, kurse tanimë tregohen edhe selektivë në çështjet që shqyrtojnë.

Sikurse edhe është bërë me dije, në dhjetor të vitit 2018, Tiranës iu la afat të shlyente borxhin ndaj Rei Qilimit. 30 ditë kohë, ndryshe tre pikë të hequra. Bukur, kështu thotë rregullorja. Në fillim të kësaj jave Tirana u njoftua ta shlyente lojtarin, me të cilin u gjet një marrëveshje. Borxhi ndaj tij ishte i vogël në fakt.

Shumë “nxitim” (afati ishte kaluar edhe këtë herë) për ta zgjidhur këtë çështje, ndërkohë që Komisioni i Disiplinës as që e ka vënë ujin  në zjarr për të shqyrtuar një çështje të protokolluar që në muajin maj të vitit 2018. SportEkspres.com mëson se Yll Hoxha ka kërkuar ekzekutimin e vendimit të marrë nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve.

Klubi i Flamurtarit ka humbur gjyqin me ish-lojtarin dhe i detyrohet 11 mijë euro. Hoxha, aktualisht lojtar i Feronikelit, ka ngarkuar një jurist për t’u marrë me këtë çështje, por akoma asnjë përgjigje. Dosja qëndron në FSHF dhe Disiplina nuk e jep ultimatumin e radhës.

Por edhe nëse e jep, nuk është se beson njeri se do të bëhet pagesa. Kemi rastin “Muzaka”, afate të shkelura herë pas here, paralajmërim për së dyti. Kemi edhe rastin e Emiljano Çelës. Më shumë se dy muaj kanë kaluar që kur Disiplina i la afat Korabit për të shlyer kapitenit e Kastriotit. Ende asnjë qindarkë në llogari të tij, ende asnjë dënim për dibranët.

HESHTJA E KLUBEVE – Rregullorja është e qartë, por as klubet nuk reagojnë. Asnjë presion ndaj Komisionit të Disiplinës për të zbatuar vendimet që vetë ky komision merr. Në të Parën ka klube që rivalizojnë me Korabin dhe heqja e tre pikëve u intereson.

Njëjtë edhe me kundërshtarët e Flamurtarit, Tiranës, apo ndonjë klub tjetër të përfshirë në telashe të tilla. Sa duket të gjithë e duan këtë situatë, për ta pasur në favor kur t’u ndodhë në kurriz. Nëse Disiplina i “mëshiron”, UEFA E FIFA nuk falin. Para këtyre institucioneve qëndrohet “gati tu”.

VLADIMIR PRENGA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.