Frenk Riberi do t’i japë fund karrierës te Bajerni i Mynihut në fund të këtij sezoni. Francezi e mbyll “kapitullin” e tij me skuadrën bavareze 12 vite pas transferimit nga Marseja në verën e 2007-ës.
Edhe pse ka mbi supe 36 vite, kërkesat për lojtarin mbeten të shumta. Sipas “Kicker”, agjenti i Riberisë, Alen Miljaço po negocion me një klub australian dhe një klub nga Katari.
Për momentin oferta nga Lindja e Mesme është më joshësja përsa i përket aspektit financiar. Ekipi i interesuar për francezin është Al Sad, klub ky më i pasuri në shtetin që do të organizojë Botërorin e ardhshëm.
Një tjetër fakt interesant mbi këtë ekip është se në të ndodhen dy mesfushorë të mëdhenj që Riberi i njeh mirë. Bëhet fjalë për legjendën e Barcelonës Ksavi Hernandez, i cili ka dhe një vit kontratë me kryesuesit e kampionatit të Katarit. Futbollisti i dytë, është ish-kapiteni i Atletikos, Gabi.