Mateo Kovaçiç do të luajë sezonin e ri te Çelsi pas një huazim 1-vjeçar nga Real Madrid. Mesfushori kroat është më i lumtur se kurrë për këtë lëvizje, pasi në tri vite te Reali, ngrohu më shumë stolin sesa preku fushën e blertë. Por, gjithsesi kemi të bëjmë me vetëm një huazim dhe 24-vjeçari do të rikthehet sërish në Madrid në fund të sezonit.
Por, Kovaçiç duket se e ka ndarë mendjen. Mllefi që ai ka grumbulluar për skuadrën spanjolle duket qartë në një intervistë të tij për mediet kroate, ku thotë.
“Pas tri vitesh, ku kam luajtur rrallë te Reali, më në fund jam pjesë e një skuadre që më vlerëson dhe më një trajner që beson shumë te aftësitë e mia, prandaj zgjodha të shkoj te Çelsi. Dua të arrij sa më shpejt në maksimumin tim dhe të jap gjithçka për këtë klub”.
Ndoshta, Kovaçiç duhet të mendohet para se të flasë, pasi gazetarët në Madrid do t’ia kujtojnë çdo fjalë të pamenduar.