Eden Hazard mbushi stadiumin “Bernabeu” në prezantimin e tij. Një ëndërr e realizuar për sulmuesin anësor, i cili kërkon të fitojë trofe të rëndësishëm në klubin spanjoll. Real e tentoi edhe vjet, por nuk ia doli ta blinte yllin e Çelsit.
Klubi spanjoll po përgatitet të bëjë të tjera afrime dhe emri më i bujshëm është ai i Pol Pogba. Trajneri Zinedin Zidan e do, por jo vetëm ai. Tashmë raportohet se edhe Hazard i ka kërkuar kampionit të botës t’i bashkohet te Reali i Madridit.
Gjithsesi ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë, pasi drejtuesit e Realit kanë sugjeruar që të marrin Eriksen nga Totenhemi për mesfushën. Zidan nga ana tjetër e ka bërë të qartë kërkesën e tij. Nga ana tjetër, Hazard në prezantim u ngacmua se si do të ishte të ndante dhomat e zhveshjes me Pol Pogba dhe Kilian Mbape.
Sulmuesi ishte i sinqertë në përgjigjen e tij: “Dua të luaj me më të mirët dhe atë që përmendët ju janë më të mirët. Gjithsesi nuk më takon mua të flas për merkaton”. Në Mançester ende nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë me Pogba.
Mendimet janë të ndryshme, kurse Reali nga ana tjetër duhet të bëjë llogaritë edhe me konkurrencën e Juventusit. Bardhezinjtë po mendojnë ta kthejnë francezin në Torino dhe drejtori Paratiçi po lëviz gjithë “gurët” për të bërë një marrëveshje me mesfushorin.