Gega: Shqiptarët paragjykojnë! Humbja e Kukësit ndikoi në ekip

0

Trajner i Partizanit, Skënder Gega, foli para gazetarëve në daljen për shtyp që i paraprin takimit të nesërm ndaj Skënderbeut.

Pjesa më e madhe e pyetjeve u fokusuan te humbja në fundjavë ndaj Luftëtarit, të cilën Gega e konsideroi si një gabim, ndoshta i ndodhur dhe për shkak të humbjes së Kukësit ndaj Kastriotit, një rezultat ky që uli agresivitetin e skuadrës së tij.

REAGIM PAS HUMBJES – “Kemi bërë një analizë të hollësishme. E rëndësishme është që të ndërgjegjësohemi dhe e dimë që kemi gabuar në një moment jo të përshtatshëm. Ishte një rezultat i papritur. Tifozët e klubit kishin pritshmëri të mëdha, mirëpo ky është futbolli. Besoj se me Skënderbeun s’do të ketë të njëjtat gabime”.

HAMENDËSIMET TOLERIM –  “Varet se kush hamendëson. Nëse dikush ka shumë argumente teknike, jam i gatshëm të ulem në tavolinë e të ballafaqohem me çdo njeri. Unë e di sa fort ka luftuar ky klubi e ky grup për të qenë në këtë pozitë ku ndodhemi. Shqiptarët përflasin e paragjykojnë edhe kampionatet e huaja. Megjithatë, ne jemi të ndërgjegjshëm për atë që bëjmë. Respektojmë çdo opinion, por në fund fare njohim e respektojmë veten më shumë se të gjithë të tjerët”.

 “Lojtarët janë profesionistë. Nga java në javë përflitemi se jemi cinik e nuk shënojmë shumë gola. Kur shënojmë thuhet se është faji i mbrojtësve kundërshtarë, këtë radhë është faji i dikujt tjetër. Ka dhe tetë javë, hallet i heqim bashkë, ndërsa festat do i ndajmë me të tjerët. Pata shumë keqardhje që ndodhi kjo humbje, por ju keni parë dhe ligat e tjera evropiane, ka surprizat. Për fat keq na ndodhem dhe ne. Do mundohemi ta korrigjojmë për tifozët.

NDIKOI HUBMJA E KUKËSIT – “Ishte një entuziazëm brenda ekipit për humbjen e rivalëve. Ndoshta ka ndikuar, ndoshta kanë menduar se ka qenë më e lehtë dhe është ulur ritmi, por është diçka që ka kaluar. Tani mundohemi të shikojmë përpara. Unë nuk kam probleme me oraret e ndeshjeve. Do mundohemi të jemi më të qetë e të bëjmë lojën tonë”.

PËRGJEGJËSITË – “Unë jam i përgatitur për çdo situatë. Unë marrë përgjegjësitë për humbjen dhe për atë që ndodh te Partizani. Do jem gjithmonë i njëjti deri në fund. Teknikisht do mundohem të korrigjohem aty ku gaboj”.

PARTIZANI NË KRIZË – “Në fazën e parë morëm 22 pikë, 15 të dytën, ndërsa të tretën 17. 2 Humbjet në Kupë e kampionat bëjnë që të duket sikur është një minikrizë. Është një periudhë e keqe, aq më tepër që humbja e kundërshtarit direkt uli agresivitetin e ekipit. Janë eksperienca, nesër kemi përballë një ekip të fortë e duhet të përgjigjemi fort kundër tyre”.

DËMTIMET – “Në 10 ditë, 6 dëmtime, asnjë ekip nuk i ka pasur. U munduam që të grupi tjetër që do t’i zëvendësojë të ketë besimin e duhur. Për fat të mirë janë kthyer 2 ose 3 lojtarë të rëndësishëm. Skënderbeu ka pasur pushim këtë fundjavë nuk e di a ndikon për mirë ose për keq”.

GJENDJA E BARDHIT DHE HEBAJT – “Bardhi është shumë mirë se sa ka qenë, ndërsa Hebaj vazhdon të testohet. Akoma nuk i është bashkuar grupit, por të presim deri nesër. Është diçka që vendoset 1 orë para ndeshjes”.

ATANDA – “Atanda ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm. Është përfolur nga specialistë e dashamirës për një gabim që ka bërë, nëse Atanda është pjesë e gabimit, unë mendoj se i gjithë ekipi është pjesë e gabimit. Edhe Alban Hoxha ka gabuar, askush nuk është perfekt. Atanda në dy rolet edhe si mbrojtës edhe në mesfushë është vlerë e shtuar e ekipit, e ka besimin tim të plotë. Kur erdha unë Atanda ishte me çantë në dorë, vinte pas një sezoni jo të mirë e jo aktiv. Ndoshta sot ka bërë sezonin e tij më të mirë”.

“Derisa të mbarojë momenti i fundit jemi në lojë. Asgjë s’ka mbaruar. Kemi edhe nëntë finale. Kjo është një finale e kësaj jave. Skënderbeu përbën interes pasi janë ekipi kampion.

PA DERBI VITIN TJETËR ? – “Unë personalisht them se derbi është aset i jetës shqiptare, jo vetëm i jetës shqiptare. Uroj që Tirana të jetë gjithmonë në derbi, ndërsa Dinamo nuk ekziston. Është për të ardhur keq nëse mendohet. Nëse dikush gëzohet se kampionati shqiptar nuk e ka elitën e ekipeve me traditë atëherë e zbeh dhe e nxin futbollin. Uroj që të kthehet edhe Lushnja edhe Elbasani e Vllaznia, që jeta e sporti të jenë më mirë”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.