Festim Alidema është një nga lojtarët më të kërkuar në Kosovë dhe në Superiore. Sulmuesi 21-vjeçar i Llapit ka spikatur në dy sezonet e fundit dhe ofertat për të nuk kanë munguar edhe nga jashtë. Gjithsesi, ai ende nuk e ka ndarë mendjen se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.
Së fundmi, Alidema edhe ka zbuluar emrat e disa klubeve që e duan dhe spikasin edhe Partizani e Kukësi në Superiore. Interesim për të ka pasur edhe nga Flamurtari i Vlorës, por edhe te Tirana është diskutuar për të. Gjithsesi për kartonin e tij duhet të paguhet dhe deri më tani asnjë klub nuk e ka bindur Llapin të lërë të lirë.
“Kam shumë oferta. Janë klubet si: Partizani, Prishtina, Drita, Feronikeli, Kukësi, Shkëndija, por njëherë i kam refuzuar dhe jam i interesuar për ofertat e klubeve më të mëdha evropiane”, ka deklaruar Alidema për “Gazetaolle.com” .
Sulmuesi anësor sezonin e fundit ia ka dalë të shënojë 12 gola, edhe pse luan në krah. Alidema ka disa cilësi dhe ajo çka bie në sy është goditja e mirë me të dyja këmbët. Më mirë se ai në Kosovë në aspektin e golave kanë bërë vetëm Kastriot Rexha dhe Ahmed Januzi, të cilët janë sulmues qendrore dhe normalisht dalin më shpesh para portave kundërshtare.