Ajaksi kreu një ndeshje fenomenale ndaj Juventusit në Amsterdam. Fatkeqësisht për djemtë e trajnerit Erik Ten Hag, dominimi ekstrem dhe shanset e krijuara nuk u konkretizuan në gola.
Në daljen për shtyp para takimit të nesërm, trajneri holandez foli në lidhje mbi dëmtimin e mesfushorit Frenki De Jong dhe alternativat në vend të të pezulluarit Taljafiko.
DËMTIMI I DE JONG – “Po e vëzhgojmë situatën e tij orë pas ore. Më shumë u shqetësua nga efekti i ndërhyrjes që pësoi në kampionat se sa nga dhimbjet e tanishme. Mund të rrezikojmë me të, por duhet të tregohemi të përgjegjshëm. Në fund lojtari duhet të zgjedhë vetë. Nuk e di se çfarë dhimbjesh po ndjen, por mund të them se Frenki është optimist”.
MUNGESA E TALJAFIKOS – “Kemi disa opsione. Mazraui mund të luajë aty, ashtu si Sinkgraven dhe Blind. Do ta vendos ditën e nesërme. Taljafiko është këtu me ne në Torino. Ai është një lojtar i rëndësishëm, brenda e jashtë fushe, do të na ndihmojë me motivimin e djemve”.
JUVENTUSI FAVORIT – “Sigurisht që Juventusi është favorit, ata ishin që përpara ndeshjes së parë. E dimë që do të na duhet të shënojmë dhe ta çojmë ekipin para. Nëse jemi një skuadër e mirë, mund ta bëjmë këtë. Në Amsterdam e bëmë mirë këtë lloj loje, por kemi shumë gjëra për të përmirësuar, një ndër to efikasiteti me rastet që shënojmë. E kontrolluam lojën për pjesën dërrmuese të ndeshjes në përballjen e parë, por për shkak të mungesës së efikasitet nuk fituam dhe rezultati qëndroi 1 – 1”.
ATMOSFERA – “Jemi në një ritëm të mirë dhe duhet të ditë ta mbajmë. Kjo skuadër ka shumë vullnet dhe është një grup i bashkuar. Në fillim të sezonit nuk e prisnim kurrë të ishim midis këtyre “gjigantëve”. Jemi zhvilluar aq shumë sa që tani mund ta masim veten përballë këtyre klubeve gjigante. Besojmë në një rezultat pozitiv”, mbaroi Ten Hag.