Spaleti: Ikardi titullar, vlen më shumë se Mesi e Ronaldo për ne!

Interin do të përballet me Xhenoan nesër në mbrëmje. Transfertë e vështirë për ekipin zikaltër, që vjen pas humbjes së hidhur kundër Lacios në shtëpi. Luçiano Spaleti ka folur në konferencën për shtyp, aty ku është ndalur te ndeshje, situata dhe grumbullimi i Mauro Ikardit.

Sulmuesi nuk luan prej muajsh, trajneri vlerëson punën e Bepe Marotës dhe analizon çështjen. Të gjithë kanë humbur, por për të mirën e Interit të gjithë duhet t’ia nisin nga zero. Fjalët nuk kanë rëndësi, nevojitet vetëm punë, stërvitje, djersë dhe një fitore kundër Xhenoas.

SITUATA – “Humbjet krijojnë gjithmonë mundësi për t’u rritur, pasi shtohet vëmendja. Mbetet hidhërimi i humbjes me Lacion, por kemi mundësi për të studiuar dhe për të punuar më mirë për ndeshjen me Xhenoan. Pres një lojë të ashpër nga ana e ekipit të Prandelit. Do të na duhet ta interpretojmë perfekt ndeshjen. Duhet të jemi gati fizikisht dhe pastaj të shfrytëzojmë teknikën tonë. Kemi kualitetet për ta fituar këtë ndeshje. Do të ketë disa ndryshime. Ata që nuk luajtën kundër Lacios janë stërvitur mirë.”

EKIPI – “Ndihemi më mirë, kemi rikuperuar futbollistë dhe kemi mundësi të ndryshme që na bëjnë të fortë. Dëmtimet e pësuar në ndeshjet e kombëtareve mbeten të vështira për t’u kapërdirë. Nuk është asnjëherë e thjeshtë të zëvendësosh Lautaro Martinezin dhe De Vrij. Duhet të jem i kujdesshëm nga sinjalet që më japin futbollistët.”

XHENOA – “Ata janë një skuadër e stërvitur mirë dhe kanë bërë gjëra të mira në ndeshjet e fundit. Të gjitha ndeshjet deri në fund të kampionatit janë të rëndësishme. Renditja është ngushtuar dhe na duhet rezultat pozitiv. Prandeli po nxjerr në pah cilësitë e tij dhe të ekipit që drejton. Do të jetë një betejë plot duele kundër Xhenoas. Duhet të kemi temperament dhe përgatitje fizike.”

IKARDI – “Mauro është grumbulluar për këtë ndeshje. Marota ka bërë një punë vendimtare. Ai bëri që palët të arrinin në një konfrontim real dhe jo virtual. Kjo gjë i jep mundësinë Ikardit që të ndihmojë skuadrën. Skuadra, tifozëria dhe trajneri janë tre komponentë, të cilët kanë zemër, sy dhe veshë. Ikardi vlen shumë për ne, më shumë se Mesi me Ronaldon bashkë, por me paktin që të përfshihet brenda skuadrës dhe të djersijë.

Nga kjo histori kemi dalë të gjithë humbur, askush nuk ka fituar. Le të rinisemi nga vendi i tretë dhe të arrijmë objektivin Champions me ndihmën e tifozëve tanë të jashtëzakonshëm. Do hasim vështirësi, por të bashkuar mund t’ia dalim. Ikardi nuk është në gjendje të ndihmojë ekipin nga jashtë, por ta karikojë nga brenda.”

KONTESTIMI I ULTRASVE – “Mauro është impenjuar në stërvitjet e fundit dhe mund të rifitojë besimin e tifozëve. Ai u stërvit të dielën, ndërsa të hënën luftoi fort në stërvitje bashkë me shokët. Ka djersitur dhe tifozët i kuptojnë sinjalet korrektë. Të gjithë duhet të punojmë për të mirën e Interit. Ne profesionistët që paguhemi nga klubi duhet të rreshtohemi në anën e klubit, skuadrës dhe tifozëve dhe jo një lojtari të vetëm.”

IKARDI TITULLAR? – “Nuk vlen shumë forma fizike, vlen koka. Mauro ka bërë reagimin e duhur. Kemi nevojë për një sulmues, jemi më të fortë me të. Ai do të luajë në formacion, të shohim më pas kur do e heqim nga loja, nëse do e zëvendësojmë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *