VIDEO | Udineze zhyt Bolonjën, Kualiarela “fshin” Spalin dhe kap Ronaldon

Janë mbyllur tre sfidat e Serie A, të programuara për t’u luajtur në orën 15:00. Udineze arriti të marrë një fitore me mjaft vlera përballë Bolonjës në shtëpi, në një përballje për mbijetesën.

Ishte Rodrigo De Paul, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 25-të, duke i dhënë avantazhin friulanëve, por Palasio në minutën e 39-të vuri baraspeshën. Në pjesën e dytë, Puseto, 11 minuta përpara fundit u kthye në hero për ekipin e tij, duke i dhënë fitoren Udinezes.

Nga ana tjetër, Sampdoria tregoi forcën e saj në transfertë ndaj Spalit, duke triumfuar me shifrat 1-2. Dy gola të Fabio Kualiarelës brenda 11 minutave, i dhanë fitoren dorianëve, të cilët ngjiten në vendin e tetë në kuotën e 39 pikëve. Me dopietën e shënuar, sulmuesi barazon Ronaldon me 19 gola. Kurtiç shënoi golin e nderit për vendasit në minutën e pestë shtesë.

 

 

Ndërkohë, Xhenoa nuk arriti të shkojë më shumë se një barazim pa gola ndaj Frosinones, me këta të fundit të cilët luajtën me një lojtar më pak që nga minuta e 34-t. Kështu, ekipi nga “Marasi” ngjitet në vendin e 12-të me 30 pikë, ndërsa Frosinone merr një pikë shprese për mbijetesën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *