Shehi: Me Tiranën, gjithnjë e vështirë. Jemi me meritë këtu!

Orges Shehi e ka thënë shpesh: kushdo mund të fitojë ndaj kujtdo në këtë kampionat. Deri më tani ka rezultuar e vërtetë. Diferenca mes ekipeve nuk ka shumë dhe duhet përqendrim në çdo takim. Korçarët e kanë pësuar edhe vetë, ndaj e dinë se nesër me Tiranën duhet të bëjnë më të mirën.

Kjo edhe për shkak të nivelit që ka kundërshtari i radhës për bardhekuqtë. “Tirana është një kundërshtar që na ka vënë gjithmonë në vështirë. Nuk e meriton atë pozicion që ka, ka zhvilluar lojëra të mira dhe meritonte më shumë pikë”, shprehet Shehi për “Supersport”.

Për trajnerin e Skënderbeut, skuadra e tij e meriton pozicionin aktual në tabelën e klasifikimit. “Skënderbeu është skuadër e re këtë vit, por po bëjmë mirë dhe jemi me meritë në pjesën e sipërme të tabelës”, shton ish-portieri i korçarëve.

Edhe pse Shehi e pranon se mund të kishin ndonjë pikë më shumë, nuk është se ka ndonjë peng. “Skuadra po punon me seriozitet maksimal, që nga muajt e verës. Ndoshta në ndonjë ndeshje duhet të merrnin më shumë, por ajo që më kënaq ka të bëjë me faktin që i ka pikët reale dhe me meritë”, ka përfunduar trajneri i Skënderbeut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *