Prenga: Kemi ambicie, jemi me sy e mendje nga merkato

Besnik Prenga është rikthyer me ambicie të mëdha te ekipi i Laçit. Tekniku i bardhezinjve ka folur për “RTSH Sport”, ku ka treguar se nuk e pati të vështirë të pranonte ofertën e presidentit Pashk Laska, por në të njëjtën kohë tregon dhe për merkaton, ku veçon se skuadra do të afrojë lojtarë cilësor.

Numri një i stolit bardhezi flet dhe për takimin me skuadrën e Teutës, e cila është programuar të luhet pasditen e së shtunës. Ndeshja me durrsakët do të jetë e dyta për Prengën, pas rikthimit të tij në ekipin kurbinas, por po ashtu do të jetë edhe takimi i fundit i vitit për skuadrën e Laçit.

RIKTHIMI TE LAÇI – “Kjo ardhje ishte më e lehtë se hera e parë, pasi erdha mes njerëzve që lash këtu, mes shokëve dhe miqve. Nuk e kisha të vështirë të kthehesha edhe pse erdha vetëm 2 ndeshje pa mbaruar faza e dytë. Është paksa e vështirë që ta marrësh ekipin në atë situatë megjithatë nuk kisha të drejtë që t’i thosha jo Laçit, kështu që u ktheva për të punuar këtu që për këto dy ndeshje, por për të punuar dhe për një kohë të gjatë”.

NDESHJA ME TEUTËN – “Luajmë ndaj një ekip që ka cilësi ndaj një ekipi që ka edhe harmoni, pasi kushti i parë për një trajner dhe ekipin janë fitoret. Teuta vjen pas disa fitoreve radhazi, por edhe ne kemi rezultat të mira dhe një grup të mirë me karakter të fortë. Edhe pse luajmë ndaj një kundërshtari me cilësi, ne do të shkojmë për të dhënë maksimumin dhe për të marrë maksimumin”.

MERKATO – “Çdo ekip ka nevojë për përforcime, kështu që edhe Laçi të jeni të sigurt se sytë edhe mendjen nga merkato. Do të futemi në merkato, por jo se ekipit i mungon cilësi, pasi këto çuna që janë këtu kanë dhënë maksimumin dhe për asnjë moment klubi apo stafi ka dyshuar te cilësitë e tyre, por si çdo skuadër që ka ambicie për të qenë në Europë edhe ne kemi ambicie dhe të jeni të sigurt që do të marrim lojtarë në përbërje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *