Panuçi: “Te Partizani më pëlqen sulmi. Dua shqiptarë të vërtetë, Guidara mund të jetë i tillë”

0

Trajneri i kombëtares shqiptare Kristian Panuçi, ishte i ftuar sot në emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, ku preku shumë çështje të ekipit kuqezi. Tekniku italian foli mbi planet e së ardhmes dhe reflektimet gjatë periudhës së pauzës, lojtarët e së tashmes dhe ata që mund të vijnë, si dhe zgjedhjen e presidentit Armand Duka në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.

LORET SADIKU – “Sadikun e kam marrë në telefon, më tha që duhet të mendohem, më pas nuk është bërë i gjallë. Për mua futbollistët duhet ta kenë dëshirë për të ardhur në kombëtare. Dua shqiptarë të vërtetë dhe seriozë, të cilët duan të shkojnë në Europë. Nëse nuk janë të tillë nuk dua t’i shikoj këto lloj shqiptarësh”.

KAMPIONATI SHQIPTAR – “Kur të jetë mundësia për të parë lojtar të kampionatit shqiptar do ta bëj.  Siç e dini unë kam një ndihmës, Ervin Bulkun, që merret me kampionatin shqiptar. Në të shkuarën kam marrë lojtarë nga kampionati shqiptar, por unë udhëtoj gjatë gjithë kohës nëpër Europë për të parë futbollistë”.

PËRSHTYPJE – “Po, ka lojtarë në sulm të Partizanit që janë lojtarë cilësorë dhe të shpejtë, Kastrioti bëri gjithashtu një lojë të mirë. Lojtarët e kampionatit shqiptar duhet të bëjnë kujdes kur bëjnë kalimin në Europë.  Nga lojtarët që u larguan vitin e kaluar Guri luan pak, Abazaj nuk luan fare, Lilaj është i vetmi që luan nga ata, ndërsa Gavazaj ka pasur lodhje”.

“Në fund të majit kur të mbarojnë kampionatet do të bëjmë një tjetër grumbullim, pasi në qershor kemi ndeshjen kundër Islandës”.

ASANI – “Asani është një lojtar shumë i fortë në lojën një kundër një”.

NDOJ – “Është një lojtar që ka shumë për të përmirësuar. Është shumë i ri. Ka një potencial të madh. Unë besoj se do bëhet një lojtar kyç i kombëtares shqiptare”.

REFLEKTIMET – “Mbi të gjithë kjo pauzë, më ka shërbyer për të reflektuar.  Jam munduar të njoh më mirë lojtarët e mi. Po mundohem të rikuperojmë lojtarë shumë të rëndësishëm si Sadiku, Roshi dhe Abashi dhe Cikalleshi, i cili shënoi tani, por vinte nga një periudhë 6-mujore ku nuk po shënonte”.

“Në këtë një vit e gjysmë e kishim thënë se do të kryhen eksperimente nga të cilat nuk morëm rezultatet e duhura. Koha për të punuar me kombëtaren është shumë e shkurtër. Tani do të punojmë me një bazë prej 22 lojtarësh, ku do të fokusohemi në lojën mbrojtëse”.

“Natyrisht që tani do të punojmë me një grup prej 18 lojtarësh. Gjithmonë do të jemi në kërkim të emrave të rinj, si për shembull Durmishaj që po shënon, kemi dhe lojtarë të tjerë të që po bëjnë mirë nëpër kampionatet evropiane. Grupin e kemi, të tjerët që do të vijnë duhet të bëjnë diferencën”.

GRUPI – “Gjatë “Nations League” vura re se kur skuadra hapej në lojë hasnim shumë vështirësi në mbrojtje. Kemi një grup shumë të vështirë. Ekipi si Franca, Islanda dhe Turqia kanë qenë të gjithë pjesë e  Euro 2018”.

SERIOZITETI – “Futbolli ka rregulla. Ka dy mënyra për të punuar, mirë ose keq. Jashtë stërvitjes unë jam një njeri shumë i lirshëm me futbollstiët, por në futboll. Nëse duam të përfaqësojmë një shtet të madh duhet të jemi të gjithë serioz. Gjithmonë do punoj me shumë seriozitet dhe profesionalizëm.

DUKA NË UEFA – “Ai ka arritur diçka të jashtëzakonshme,duke u bërë pjesë e Komitetit Ekzekutiv, të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë. Po bëhen zyrat e reja, po bëhet një punë e mirë. Ishte një ditë shumë e bukur për Shqipërinë.”

TOMAS GUIDARA – “Gjendja është e tillë unë kam folur me lojtarin, pasi ai ka prejardhje arbëreshe. Është një lojtar me kualitet që luan si mbrojtës krahu. Federata po bisedon me të dhe familjen e tij. Teorikisht ai mund të marrë pasaportën shqiptare, po presim procedurat. Më ka thënë se është shumë i gatshëm për të luajtur për kombëtaren shqiptare. Por duhet të presim, pasi në të shkuarën kam folur me lojtarë që më kanë thënë po, por në fund kanë luajtur për shtete të tjera” , përfundoi Panuçi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.