Merkato ka filluar dhe paratë po shkojnë lumë. Ekipet gjigante të kontinentit synojnë të përforcojnë sa më shumë organikën e tyre, qoftë edhe me çmime që kapin qiellin. Tre ekipet me nisjen më të vrullshme janë Bajerni i Mynihut, Barcelona dhe sigurisht Reali i Madridit.
Blerjet më “të çmendura” janë bërë nga këto tre superfuqi. Lojtarë të mëdhenj, me talent bio dhe personalitet të hekurt. Këto janë karakteristikat e atyre, që kanë kushtuar më shtrenjt këtë merkato.
3-Vendin e tretë e mban Frenki De Jong. Tulipani ka mrekulluar gjithë opinionin sportiv me atë çka shfaq nq fushë, por edhe jasht saj. Një djalosh që flet thjeshtë, por bukur, me çiltërsinë e një fëmije, sikur nuk e di se çështë presioni.
Ai është ndoshta përfaqësuesi më i mirë i gjeneratës që po vjen. Një mesfushor “kameleon”, që mund të mbulojë shumë mirë fazën difensive, por edhe e nxjerr rrufeshëm ekipin në sulm. 21-vjeçari u bë pjesë e Barcelonës për 75 milionë euro nga Ajaksi. Këta të fundit e patën blerë për 1 euro nga Vilhelm II.
2-Në vendin e dytë është Lukas Hernandez. Kampion bote me Francën, ku ishte titullar i padiskutieshëm, madje një nga ingranazhet kryesorë për funksionimin e ideve të Deshamp.
Vetëm 23-vjeç, por ka luajtur mbi 100 ndeshje me një gjigant si Atletiko Madrid. Mbulon qendrën dhe krahun e majtë të mbrojtjes. Lojtar tepër i vlefshëm për çdo trajner. Kovaç është me fat. Vjen në “Allianz Arena” në këmbim të 80 milionë eurove.
1-Në shkallën më të lartë të podiumit është Eden Hazard. Një lojtar i konfirmuar tashmë, që shkon në Madrid me synime të qarta. Për ta ngjitur ekipin përsëri në majë dhe për të fituar trofeun më të madh individual për një futbollist, Topin e Artë.
Një nga lojtarët më të mirë të dekadës së fundit, nga ata që i janë afruar më shumë talentit të Mesit dhe Ronaldos. Vlera e tij është shumë më e lartë, por u transferua për 100 milionë euro në Madrid sepse kontrata e tij me Çelsin skadonte verën e ardhshme.
DENIS LALA