Milani më në fund është rikthyer te fitorja, duke triumfuar 2-1 ndaj Spali në “San Siro”, ku heroi i takimit ishte Gonzalo Higuain. Një fitore që i jep frymëmarrje dhe trajnerit Gatuzo, i cili ishte në shënjestër për sa i përket rezultateve të fundit. Një fitore, që i çon kuqezinjtë në vendin e pestë, me vetëm një pikë larg nga Lacio.
Një ndeshje që nisi në tatëpjetë për kuqezinjtë, teksa vetëm 13 minuta i mjaftuan Petanjas për ta shënuar golin e ish-it dhe për të heshtur “San Siron”. Reagimi i Milanit ishte i shpejtë, ku brenda tre minutave, Samu Kastijeho shënoi golin e parë, që nga koha që ka zbarkuar në Milano, duke vënë baraspeshën.
Ekipi i Gatuzos e shtoi presionin në pjesën e dytë dhe më në fund në minutën e 64-të erdhi momenti i çlirimit për Gonzalo Higuain. “El Pipita” u zhbllokua pas shumë kohësh, duke dërguar në avantazh ekipin e tij dhe duke i dhuruar tre pikët. Vlen për t’u përmendur që në fundin e takimit, Donaruma ruajti fitoren me një superpritje ndaj Petanjas dhe Suso u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë ekipin me një lojtar më pak.