Fundjava na servit një numër të madh ndeshjesh dhe një numër edhe po aq të madh futbollistësh shqiptarë që luajnë në Europë. Në Turqi, Vedat Muriqi po tregon se është një bishë e vërtetë, pasi ka shënuar sërish për skuadrën e Rizesporit. Në minutën e fundit të takimit, sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës shënon me penallti, duke shpëtuar një pikë për ekipin e tij.
Ditë pozitive dhe për ish-sulmuesin e Shpresave kuqezi, Taulant Seferi. Me skuadrën e Uinterthur në Zvicër, Seferi ka asistuar golin e dytë për ekipin e tij, që triumfoi 2-0 në shtëpi përballë Uil. Seferi luajti 87 minuta në këtë takim. Në Hungari, Hasani ka shënuar për ekipin e DVKT-së, që triumfoi në shtëpi me rezultatin 2-1. Sulmuesit shqiptar i mjaftuan vetëm 5 minuta që të gjente rrjetën.
Mbrojtësi i kombëtares, Ardian Ismajli, luajti 90 minuta për ekipin e Hajduk Splitin. Vetëm një karton i verdhë për mbrojtësin. Balaj dhe Roshi janë aktivizuar në Rusi me ekipin e Akhmat Groznit. Sulmuesi shkodran luajti vetëm 10 minutat e fundit të takimit, ndërsa Roshi që e nisi takimin si titullar, u zëvendësua në minutën e 62’.