Ole Gunar Solskjaer pësoi humbjen e parë si trajner i Mançester Junajtid pas një fillimi përrallor prej 11 ndeshjesh pa humbje, ku kishte barazuar në vetëm një takim. Trajneri norvegjez i tha gjërat hapur duke pranuar hendekun e madh që ekziston midis Junajtid dhe PSG-së. Koment interesant dhe për lojtarin më të paguar të skuadrës, Aleksis Sançez, i cili vazhdon të jetë larg pritshmërive që prej transferimit të tij te “djajtë e kuq” në janarin e vitit të kaluar.
“Mund të them se ata na vunë me këmbë në tokë. Mund të shikosh se çfarë kualiteti kanë lojtarët e tyre, nga portieri deri te sulmuesit. Atje duhet të arrijmë dhe ne. Po shikojmë se si mund ta forcojmë skuadrën. Gjithsesi kemi shumë lojtarë të rinj që presim që të përmirësohen për sezonin që vjen. PSG-ja jo më kot është një ndër favoritët për të fituar Champions-in. Këtë ambicje kemi dhe ne si klub”.
“Në pjesën e parë ata nuk na shkaktuan probleme, por as ne atyre. Më pas ata u mbrojtën shumë mirë. U përpoqëm të luanim me harkime, por kishim një kundërshtar të një tjetër niveli nga ata që jemi përballur deri tani. Askush nuk mund të thotë se kemi mbaruar punë në Champions. Kemi një mal përpara, por malet ekzistojnë për tu ngjitur”.
ALEKSIS SANÇEZ – “Unë nuk mund të bëj asgjë për Aleksis Sançezin. Kur ai futet të lojë duhet të gjejë vetveten, pasi e dimë që tek ai ndodhet një lojtar që bën diferencën”, përfundoi Solskjaer.