Sherif Tiraspol, klubi që dominon Moldavinë falë milionave nga Rusia

Më datë 25 korrik, Partizani rikthehet në stadiumin “Selman Stërmasi” për të zhvilluar ndeshjen e parë të vlefshme për turin e dytë kualifikues të “Europa League”. Kundërshtari i radhës i “demave” është superfuqia moldave,  Sherif Tiraspol.

Ky klub dominon prej dy dekadash futbollin moldav. Mjafton të përmendim faktin që në 19 sezonet e fundit kanë fituar titullin kampion 17 herë dhe trofeu i 18 është rrugës. I mbështetur ekonomikisht nga kompania multimilionere “Sherif”, një konglomerat në pronësi të dy shtetasve rus, kjo skuadër paraqet një realitet krejt të ndryshëm nga pjesa tjetër e futbollit moldav.

Stadiumi dhe kompleksi gjigant përreth tij janë një investim prej 200 milionë eurosh i kompanisë “Sherif”, çka e bën klubin nga qyteti i Tiraspoli të vetmin që ka në pronësi private stadiumin dhe kompleksin e tij.

Kompleksi stërvitor i Sherif Tiraspol

Megjithatë, duhet përmendur se buxheti i moldavëve është më i vogël se ai i azerëve të Karabak. Sherif është ndeshur disa herë në Europë me klube shqiptare, ku përballja e parë ka qenë ajo ndaj Dinamos në vitin 2011. Moldavët fituan ndeshjen e parë 3-1, ndërsa në Qemal Stafa u mundën 1-0.

Më e freskët është përballja e dy viteve më parë kundër Kukësit. Verilindorët iu afruan shumë kualifikimit, por shtyllat dhe një penallti e humbur e Pero Pejiç i erdhën në ndihmë ekipit moldav. Gjithsesi një shembull i mirë vjen nga Shkëndija e Tetovës, që i eliminoi vitin e kaluar në turin e dytë të Champions League.

Skuadra moldave nuk ka ndonjë futbollist me emër në kontigjent, por mes tyre ndodhet një lojtar që njihet mirë nga ndjekësit e Superiores. Bëhet fjalë për Liridon Latifin. Ish-sulmuesi anësor i Skënderbeut u transferua disa javë më parë te kampionët e Moldavisë dhe tani do rikthehet në Shqipëri pas më shumë se dy vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *