Në Serie A, lufta për të siguruar një vend në Champions sa vjen dhe bëhet akoma më e ndërlikuar. Inter, Milan, Atalanta, Roma dhe Lacio. 5 ekipe në garë për të marrë dy bileta.
Aktualisht, kur kemi lënë pas 23 javë të luajtura, renditja tregon Interin të tretin me 43 pik, i cili ndiqet nga kushërinjtë e urryer të Milanit me 4 pikë më pak. Atalanta, Roma dhe Lacio, qëndrojnë së bashku pas Milanit, në kuotën e 38 pikëve. Thënë ndryshe, 5 ekipe ndahen nga 5 pikë.
Ndeshjet deri në fund për t’u luajtur janë dhe 15, teksa këtë javë do të kemi përballjen direkte mes Atalantës dhe Milanit në Bergamo. Interi, me triumfin në ndeshjen e fundit ndaj Parmës ka treguar se po rikthehet. Ndërkohë, Milani dhe tre ndjekëset e tjera nuk gabuan në ndeshjet respektive, duke treguar se jemi futur në një fazë, ku gabimet nuk falen.
Interi bëri një fillim sezoni perfekt, deri në atë pikë sa u mendua për një moment si ekipi anti-Juve, por muajt e fundit zikaltrit kanë rrëshkitur dhe tashmë kërkojnë të bëjnë gjithçka për të siguruar të paktën zonën Champions.
Milani nga ana tjetër, duket një ekip i tjetërsuar këtë vit të ri. Ardhja e Paketës dhe Piatek, ka sjellë një entuziazëm të madh në ekipin e Gatuzos dhe kualifikimi për në Champions pas plot 6 vitesh do të ishte një arritje e madhe për “djallin”.
Atalanta po konsolidohet dhe po konfirmon veten vit pas viti. Bergamaskët e kanë treguar dhe në sezonet e fundit se janë një ekip solid dhe që e meritojnë një shpërblim për punën e bërë. Pse jo, ndoshta ky shpërblim mund të jetë kualifikimi për në Champions.
Roma kishte vite që nuk ishte parë në ujërat që ndodhet sivjet. Verdhekuqtë bënë një nisje sezoni me mjaft ulje-ngritje, ku përfunduan deri në vendin e 11-të për një periudhë. Tashmë, kryeqytetasit kanë rikuperuar dhe ndodhen vetëm një pikë larg Milanit, ku kërkojnë me çdo kusht dhe për një vit tjetër kualifikimin për në Champions.
Për ta mbyllur me Lacion. Bardhekaltrit kanë akoma makthet e sezonit të kaluar, kur panë që ne minutën e 93-të t’u rrëshqiste i gjithë sezoni pas golit të Matias Vesinos. Ekipi i Inzagit është përsëri aty dhe këtë sezon, ku objektivi është i njëjti: kualifikimi për në Champions.
5 ekipe në garë për dy bileta. Me një Juventus, i cili duket nga një planet tjetër në Itali, titulli luhet për zonën Champions…