Reali i Madridit ka një pëlqim të hershëm, që quhet Kristian Eriksen. Danezi me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme e ka futur veten në mesfushorët më të mirë të globit. Florentino Perez e pëlqen 27-vjeçarin dhe ka që në merkaton e kaluar që dëshiron ta sjellë në Bernabeu.
Megjithatë, Pol Pogba është i preferuari i Zidan dhe fjala e tij për momentin ka më shumë rëndësi se ajo e presindentit kur vjen puna për të zgjedhur lojtarët e duhur. Kështu vëmendja e klubit madrilen është spostuar në Mançester për t’i plotësuar dëshirën Zidanit dhe Eriksen është në plan të dytë.
Sipas madrilenes “AS”, mesfushori nuk e pëlqen këtë situatë dhe ka nisur të veprojë. Ai prej kohësh e ka në tavolinë kontratën e rinovimit me Totenhemin. Pritja e një oferte nga Madridi e ka lënë pezull këtë çështje prej kohësh.
Gjithsesi, çdo pritje e ka një fund dhe Eriksen po mendon seriozisht mundësinë e rinovimit me klubin nënkampion Evrope. Ky hap do të shuante përfundimisht mundësinë e kalimit në “Santiago Bernabeu”.