Moise Ken vazhdon të shfaqë një formë të jashtëzakonshme sportive, duke shënuar 6 gola në 6 ndeshjet e fundit. Gjithsesi problem është sjellja. 19-vjeçari shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 ndaj Kaljarit, por ajo çka bëri më shumë bujë ishte mënyra se si ju drejtua tifozëve kundërshtarë pas shënimit, ccka e nxehu edhe më shumë situatën. Tifozët e kishin provokuar vazhdimisht me kore raciste dhe pas ndeshjes ai u shpreh se goli i tij ishte një përgjigje kundër racizmit.
Këto veprime të tij dhe ultrasve të Kaliarit kanë ngjallur reagime. Leonardo Bonuçi e komenton kështu atë që ndodhi: “Ken e di që kur dikush shënon një gol duhet të festojë me ekipin e tij, por nuk e bëri. Ky është gabimi i tij. Faji ishte 50-50 tek të dyja palët. Ai e di se ka gabuar. Kishte fërshëllima dhe kore raciste pas festës së Ken dhe Matuidi u zemërua. Ne duhet të japim një shembull. Duhet të rritemi mendërisht për të mos ndodhur më këto gjëra”.
Një reagim më të ashpër ka bërë ish-futbollisti i kombëtares italiane, Daniele Adani. Aktualisht opinionist në televizionin “Sky”, ai u tregua i drejtpërdrejtë: “Bëmë një tjetër figurë m*ti. Është një humbje për të gjithë, është diçka e pështirë”.
Këto fjalë kanë ngjallur një debat me presidentin e Kaljarit, Tomaso Guilini. Ai e etiketon Adanin si një moralist dhe mundohet ta mbyllë më lehtë këtë ngjarje në lidhje direkte “Kam dëgjuar tepër moralizma në studio. Po e instrumentalizoni së tepërmi këtë situatë, nuk ndodhi asgjë. Ken gaboi mënyrën e festimit. Ma thanë edhe persona të afërt të Juves.
Është 19 vjeç, mbyllet me kaq kjo histori. Edhe nëse do festonin ashtu Bonuçi apo Bernardeschi, tifozët do silleshin njësoj. Do i fishkëllenin edhe ata, nuk ka lidhje racizmi”. E menjëhershme dhe e ashpër ka qenë përgjigja e Adanit: “Mos më quaj mua moralist. Nuk po sulmoj Kaljarin, por vetëm disa idiotë. Nëse fishkëllen një lojtar me ngjyrë, del nga stadiumi dhe nuk hyn më kurrë, si në Angli”.