Mesut Ozil po kalon periudhën më të errët të karrierës së tij. Ky vit ka qenë mjaft i dobët për turko-gjermanin. Statistikat e tij dhe lëvizjet e kota në fushë shprehin gjithçka. 30-vjeçari ka hasur vështirësi për të gjetur minuta nën drejtimin e Unai Emeri. Me ardhjen e spanjollit, mesfushori ka kaluar shumë kohë në stol.
Në ndeshjet e fundit, Ozil duket se e pati fituar besimin e trajnerit. Emeri zgjodhi ta fusë në formacionin e parë gjatë finales së Europa League, të humbur 4-1 ndaj Çelsit. Përkundër besimit të teknikut, ish-ylli i Real Madrid nuk dha asgjë në fushë. Ai zhvilloi një ndeshje monotone, pa marrë iniciativa dhe rreziqe mbi supe.
Emeri vendosi ta zëvendësonte në minutën e 78 me të riun Xho Uillok. Ky veprim i trajnerit e acaroi Ozil. Siç raporton sajti turk “Fanatik”, Ozil reagoi me një shprehje në turqisht. “Betohem që ti nuk je trajner”, ishte ajo çka tha mesfushori në shenjë proteste për daljen e tij nga fusha dhe futjen e një të riu pa eksperiencë.