Aron Ramsej është një nga emrat më të kërkuar në merkato. Mesfushorit i skadon kontrata me Arsenalin në verë, ndërsa ai nuk e ka pranuar rinovimin e saj. 28-vjeçari ka vendosur të provojë një aventurë të re dhe për të interesohen Milan, Inter, Juventus, Real Madrid dhe PSG.
Kuqezinjtë po tentojnë të përfitojnë nga Ivan Gazidis, i cili e njeh mirë pasi ka qenë pjesë e Arsenalit. Nga ana tjetër është dhe Reali i Madridit, që po tenton ta bindë lojtarin nëpërmjet Garet Bejl. Të dy janë shokë ekipi në kombëtaren e Uellsit dhe Bejl po insiston t’i mbushë mendjen Ramsejt për të kaluar në Madrid.
Garës për shërbimet e mesfushorit i është bashkuar dhe PSG. Kampionët e Francës kanë nevojë për një mesfushor, pasi Adrien Rabiot është gjithnjë e më pranë Barcelonës. Në fund është vetë lojtari, i cili i ka bërë të qarta kërkesat e tij. Ai dëshiron një rrogë prej 8 milionë eurosh në sezon dhe komisione të larta për agjentët e tij.