Interi ka piketuar një talent cilësor në kampionatin gjerman. Valentino Lazaro është mesfushori i krahut të djathë që zikaltrit e duan me çdo kusht. Austriaku është një nga lojtarët më të mirë të Hertës së Berlinit.
Ai e ndihmon ekipin në të dyja fazat e lojës dhe ka nuhatje goli. Lazaro do të ishte perfekt për skemën klasike 3-5-2 të Antonio Konte. 23-vjeçari këtë sezon regjistron tre gola dhe shtatë asisistime në 31 ndeshje të luajtura në Bundesliga.
Interi ka shfaqur interes konkret për të dhe agjenti i tij e afron edhe më shumë drejt klubit italian. Ai shprehet se nuk ka sesi e refuzon ofertën e një klubi aq të madh. Gjithsesi, nuk e ka me ngut dhe shton se nuk do të ishte ndonjë problem nëse Lazaro shpenzon edhe një vit në Gjermani.
“Nëse një klub me aq prestigj interesohet, duhet ta marrim në konsideratë. Do të ishte diçka e pakujdesshme nëse nuk e bënim. Megjithatë, Valentino ka edhe dy vitë në kontratë dhe nuk do të ishte problem nëse qëndron”, u shpreh agjenti i Lazaro.
Interi ka kohë që e ndjek dhe e vëzhgon zhvillimin e 23-vjeçarit dhe tani është gati për ta sjellë në “San Siro”. Vlera e tij në merkato është rreth 30 milionë euro. Ditët e fundit për të ka shfaqur interes edhe PSG.