Interi është shumë pranë kualifikimit në Champions Ligë. Diçka e tillë do të thotë rritje e të ardhurave dhe më shumë merkato. Marota dhe Auzilio po bëjnë maksimumin për të përforcuar ekipin.
Drejtuesit kanë piketuar dy lojtarë, të cilët janë pjesë e Mançester Sitit. Ilkai Gyndogan dhe braziliani Danilo janë të preferuarit e Interit, siç raportojnë mediat angleze. Interi ka kontaktuar dy agjentët e lojtarëve, ndërsa klubi nga Mançesteri akoma nuk është shprehur mbi mundësinë e shitjes së dyshes.
Gjermanit i përfundon kontrata me “qytetarët” në fund të sezonit të ardhshëm, ndërsa palët po punojnë për rinovimin e saj.
Problem mbetet fakti që Siti po kërkon Rodrigon e Atletiko Madrid dhe Fernandez të Sportingut të Lisbonës. Afrime të tilla do të reduktonin hapësirat e Gyndogan. Ky i fundit pëlqehet shumë nga Guardiola, por lojtari do të ishte gati të provonte një aventurë të re, nëse posti i titullarit vihej në dyshim.
Më e lehtë është rruga drejt Danilos. Mbrojtësi i krahut nuk po aktivizohet shumë dhe e sheh me sy të mirë largimin drejt një kampionati tjetër. Siti kërkon rreth 50 milionë sterlina për të dy lojtarët, ndërsa Interi vazhdon punën për të gjetur marrëveshjen me ta.