Zhoze Murinjo ka dhënë një intervistë të gjatë për “Bein Sports”, ku ka hedhur disa akuza ndaj drejtuesve të Mançester Junajtid. Sipas portugezit ai nuk pati mbështetjen për të marrë lojtarët që ai dëshironte te Junajtid dhe për këtë ai përdor si krahasim dy kolegët e tij Pep Guardiola dhe Jyrgen Klop.
“Sezoni i parë i Guardiolës në Angli ishte shumë i vështirë. Ai kishte një ekip kampionësh me lojtarë si Kompani e Aguero dhe në fund u rendit në vendin e katërt. Megjithatë në atë sezon ai mori disa vendime shumë të rëndësishme, që u mbështetën plotësisht nga drejtuesit e klubit. Për shembull: Ai nuk donte Zabaletën, Sanjan, Kolarovin dhe Klishin. Në një merkato vere ai largoi katër mbrojtës krahu dhe mori katër të tjerë: Uallkër, Danilo, Mendi dhe dikë tjetër.”
“Përsa i përket Klop. Sa prej këtyre lojtarëve ishin te Liverpuli para se Klop të emërohej trajnert. Van Dijk, Robertson, Salah, Mane, Alison. Nëse je një menaxher që ke mundësi të zgjedhësh lojtarët që t’i beson se mund të marrësh lojtarë që mund të ndjekin idetë e tua, atëherë gjithçka ndryshon është shumë e thjeshtë”, përfundoi Portugezi.