MOVIOLA | Ndeshja e çmendur në Durrës, sa shumë pretendime (VIDEO)

Ndeshja mes Teutës dhe Kukësit, e vlefshme për javën e 22-të të Superiores, dhuroi spektakël dhe gola, si dhe mund të konsiderohet si një nga sfidat më të bukura të këtij sezoni. Që në minutën e parë, deri në sekondat e fundit, ndeshja ishte shumë e luftuar dhe pati polemika të shumta.

Fillimisht, ishte skuadra e Kukësit që pretendoi për një penallti. Braziliani Kordeiro depërton nga e majta dhe ndalohet nga Frashëri, që sipas gjyqtarit, ishte një ndërhyrje e rregullt. Të gjithë lojtarët e Kukësit protestojnë, por ndeshja vazhdon.

Episodi i dytë i takon Teutës. Kamara bën gjithçka mirë dhe lë pas Maliqin. Mesfushori Dzaria ndërhyn për ta ndalur dhe sulmuesi i Teutës rrëzohet brenda zonës. Të gjithë sytë nga gjyqtari, i cili sërish e cilëson një ndërhyrje të rregullt.

Dy penallti të paakorduara dhe në momentin më kritik të ndeshjes, gjyqtari drejton gishtin nga pika e bardhë. Në minutën e 90+3’ të takimit, Osmani ndal me dorë një goditje të një prej lojtarëve të Kukësit. Për kryesorin Xhaja, penallti dhe karton i kuq për mbrojtësin e Teutës. Kukësi pati mundësinë të marrë një pikë nga kjo sfidë, por Hidi ndali brazilianin Kordeiro dhe Teuta triumfoi 2-1 në fund, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *