Merkatoja e kësaj vere ishte shumë zhgënjyese për skuadrën e Mançester Junajtid. “Djajtë e Kuq” afruan brazilianin Fred dhe të riun Dalot. Kjo gjë solli një lumë kritikash nga trajneri Zhoze Murinjo, i cili akuzoi bordin drejtues për paaftësi.
Për të mos e përsëritur më gabimin, drejtori i përgjithshëm i Junajtid Ed Udard, po mendon të afrojnë në ekip një drejtor sportiv, i cili do të merret me merkaton dhe do të shërbejë si urë lidhëse midis trajnerit dhe bordit drejtues.
Kandidatët që po përfliten më së shumti janë drejtori sportiv i Romës Monçi dhe ai Juventusit Fabio Paratiçi. Si spanjolli dhe homologu i tij italian kanë treguar se janë mëse të aftë për këtë pozicion, por në garë është dhe një ish-legjendë e “Djajve të Kuq”, si Edvin Van Der Sar, i cili punon në këtë post prej disa vitesh te skuadra e Ajaksit të Amsterdamit.
Në të shkuarën Junajtid ia besonte të gjitha zgjedhjet e merkatos legjendës Sir Aleks Ferguson, kjo praktikë vazhdoi dhe me pasuesit e tij Mojes, Van Gal dhe së fundmi Murinjo, por në ndryshim nga Ferguson, portugezit mund t’i tregohet dera shumë shpejt dhe dështimet e merkatos së tij i ngelen Junajtid, siç ndodhi me shumë afrime të kryera nga holandezi Van Gal.