Bajerni i Mynihut nuk shkon si një favorit në përballjen ndaj Liverpulit. Këtë nuk e thonë vetëm kuotat e kompanive të basteve, por dhe vetë mbrojtësi i bavarezëve Xhoshua Kimish.
Në një intervistë për “Reuters”, futbollisti gjerman ka komplimentuar skuadrën e Klop duke vlerësuar paraqitjet e tyre në kampionatin anglez dhe i ka “tërhequr veshin” të tijve për lojën e dobët që bavarezët kanë treguar këtë sezon.
“Liverpuli është ekipi favorit. Ata kanë humbur vetëm një ndeshje gjatë të gjithë sezonit dhe u kanë lejuar kundërshtarëve t’u shënojnë vetëm 15 herë. Kur shikon mënyrën se si ata luajnë futboll, kupton se ata kanë një mbrojtje shumë të mirë, ndërsa linja e sulmit është mahnitshme”.
“Kanë shumë shpejtësi dhe lojtarët e tyre janë shumë të ashpër në duelet për topin. S’do ta kemi aspak të lehtë të përballemi me ta. Po të ndjekësh ndeshjet tona gjatë këtij sezoni e kupton se nuk jemi më aq konstant sa më parë. Na duhet të përmirësojmë stilin tonë të lojës që të konkurrojmë me skuadrat më të mira në botë”, përfundoi Kimish.