Duro flet hapur: Partizan, kujdes! Unë te Kukësi? E kam marrë një vendim

Pasi ka dhënë dorëheqjen nga skuadra e Dritës në Superligën e Kosovës, Shpëtim Duro ka marrë si zakonisht pozicionin e një specialisti futbolli.  Për SportEkspres.com, ai i bën një analizë javës së 22-të të Kategorisë Superiore, njëherësh edhe flet për javën e 23-të. Në këndvështrimin e tij, Kamza duket e zbritur nga kategoria. Duro ka edhe një këshillë për Partizanin kryesues, që dje u mund nga Laçi në transfertë.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Aksi Shqipëri-Kosovë po duket për ju si një autostradë e karrierës, janë zgjedhje të momentit nga ana juaj?
-Të dyja kanë të veçantat e tyre, nga njera anë Kategoria Superiore në Shqipëri, dhe nga ana tjetër IPKO Superliga në Kosovë. Gjithsesi futbolli shqiptar është më lart në infrastrukturë dhe më afër Evropës.  Kjo ishte arsyeja që u largova nga Kosova pas eliminimit në Kupë me Dritën.

Nisur nga dritëhijet e renditjes në Superioren shqiptare, si e përshkruani situatën në 22 javë?
-Java e 22-të pati ndeshje interesante, jo vetëm në rezultatet që u arritën. Veçohet fitorja e Laçit me Partizanin. Këta të fundit gabuan me këtë humbje, ndërkohë që fitorja me Kamzën e bën Kastriotin që të shpresojë mbijetesën. Ndeshjet e tjera ishin të pritshme, si në Durrës e Vlorë.

Këtë javë Kukësi humbi në Durrës dhe në horizont duket se trajneri Cungu po largohet, është kjo një “fitore” edhe për Partizanin?
-Kur një rival humbet, është e natyrshme që tjetri të përfitojë, por duke qenë se si Kukësi e Partizani humbën në javën e 22-të, askush prej tyre nuk ka bërë diferencën. Ndërsa për Teutën,  kjo fitore me Kukësin i korrigjoi katër gabimet në barazimet që kishte shënuar në javët e kaluara.

Partizani humbi në Laç, por a ka diçka që duhet ta ketë nën kujdes për vazhdimësinë?
-Partizani nuk duhet të gabonte në Laç, minimalisht të merrte barazimin. Diferencat me rivalët i ka të dukshme, por në planin psikologjik, me këtë humbje i dha Teutës e Kukësit shpresën për të synuar kreun. Gjithsesi, mbetet më lart nga të dy këta rivalë.

Keni drejtuar Flamurtarin në sezonin e kaluar, si e përshkruani situatën në skuadrën vlonjate pas fitores dje më Skënderbeun?
-Flamurtari fitoi me meritë ndaj Skënderbeut, por praktikisht ka dalë nga lufta për titull dhe është jashtë objektivit. Ndërsa barazimi i Tiranës me Luftëtarin dhe fitorja e Kastriotit me Kamzën, formuan treshen Tirana-Luftëtari-Kastrioti, skuadra rivale për mbijetesën.

Kjo ka qenë edhe java e largimit të trajnerëve, edhe pse Cungu është ende i pavendosur, pse ndodh kështu me pankinat?
-Unë në këtë rast do të thoja se të dy trajnerët janë treguar profesionistë, jo egoistë. Në të tilla vendimmarrje, dorëheqjet e trajnerëve e forcojnë karakterin e tyre dhe në këtë këndvështrim ata nuk duhet të gjykohen ndryshe.

Ju keni marrë ndonjë telefonatë nga presidenti i Kukësit për t’u ulur ju në atë pankinë?
-Jo, nuk kam marrë. Por edhe po të ishte ndryshe, unë kam menduar që deri në fundin e këtij sezoni të qëndroj pushim. Po mendoj për një projekt me një skuadër që të jetë pretendente për trofetë në futbollin shqiptar, si dhe pjesëmarrëse në Europë.

Mendoni se pas ndeshjeve të javës së 23-të ekstremet e renditjes do të jenë të njëjta?
-Me përjashtim të ndeshjes Kukësi-Kamza, që duket fitore e padiskutueshme për kuksianët, të gjitha ndeshjet e tjera do të kenë rivalitet. Ndërsa Partizani duhet të reagojë ndaj Flamurtarit, sepse një rezultat ndryshe e ve në dyshim titullin kampion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online